Shkruan: Granit Duriqi
Të gjitha matematikat politike nga sondazhet në terren, nga sjellja e votuesve në rrjete sociale, e deri te përplasjet dhe aleancat e fragmentuara të opozitës, flasin njëzëri, Imri Ahmeti është favorit i pakontestueshëm për t’u rizgjedhur kryetar i Lipjanit.
Një organizatë prestigjioze ka realizuar një sondazh me 2000 qytetarë, përmes metodës “derë më derë”, ku Imri Ahmeti del fitues me 58% të mbështetjes, një rezultat që përjashton çdo mundësi për balotazh.
Në mënyrë plotësuese, edhe në rrjetet sociale ai mban epërsinë bindëse në perceptimin publik, një përputhje mes frymës në terren dhe reflektimit të saj digjital. Por më shumë sesa shifra, fitorja e tij duket e garantuar për shkak të ndarjes dhe përplasjes brenda opozitës.
Përballë tij janë dy kundërshtarë të profilit të lartë, të dy gjeneralë të luftës, që jo vetëm ndajnë një të kaluar të përbashkët, por edhe një elektorat të përbashkët. Në vend që të ndërtojnë një sfidë të përbashkët, ata janë të zënë duke peshkuar në të njëjtin territor votash, duke e dobësuar ndërsjelltas njëri-tjetrin dhe duke forcuar më tej pozicionin e Imri Ahmetit.
Dorën në zemër, të dy kundërshtarët politikë të Imri Ahmetit janë njerëz të mirë dhe figura të respektuara brenda opozitës. Njëri prej tyre është i provuar më herët, një profil i njohur për publikun, por po ashtu edhe i mundur më herët, madje ishte vetë Imri Ahmeti ai që, politikisht, e pensionoi për një kohë të gjatë. Tjetri, sado që bart tituj dhe grada të larta, është ende i panjohur për 85% të qytetarëve të Lipjanit. Kjo bën që gara të duket më shumë si një përplasje mes njohurës dhe panjohurës, dhe në një qytet ku vota nuk jepet për misterin, por për memorien, ky është një disbalancë që flet vetë.
Edhe nëse ndodh ndonjë nga skenarët e balotazhit, fjala vjen, nëse Imri Ahmeti përballet me kandidatin e PDK-së është e qartë që elektorati i VV-së nuk e voton kandidatin e PDK-së, por parapëlqen Imri Ahmetin, si një figurë më e qëndrueshme dhe më pak përçarëse për ta.
Në anën tjetër, nëse balotazhi zhvillohet mes Imri Ahmetit dhe kandidatit të VV-së, atëherë elektorati i PDK-së e voton Imri Ahmetin, jo për hir të aleancës, por për shkak të mosbesimit dhe përplasjeve të thella që ka me VV-në në nivel qendror.
Kjo është shumë e rëndësishme për ta kuptuar, edhe nëse partitë opozitare lidhin marrëveshje mes vete në tavolinë, elektorati nuk e ndjek verbërisht atë marrëveshje.
Votuesit në Lipjan, si kudo tjetër votojnë me zemër, me kujtesë politike dhe me pragmatizëm. Dhe shumica e tyre e shohin Imri Ahmetin si një pikë stabiliteti dhe përfaqësimi dinjitoz.
Ky nuk është rast i izoluar. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në Shqipëri, sa herë që sondazhet e nxirrnin Edi Ramën si fitues disa muaj para zgjedhjeve, rezultati final vetëm sa e konfirmonte atë. Dhe ajo që e bën më interesante këtë paralelizëm është fakti se çdo herë që Edi Rama e ka fituar Shqipërinë, pas disa muajsh, Imri Ahmeti e ka fituar Lipjanin. Si të ishte një fat i ndërlidhur politik, i ngjashëm në ritëm dhe reflektim elektoral.
Po ashtu, rastet ndërkombëtare si ai i Emmanuel Macron në Francë më 2017 apo Barack Obamës në SHBA më 2008 tregojnë se kur fryma është e qartë dhe përkrahja është e qëndrueshme, votimi shndërrohet në një formalitet. E njëjta ndjesi është sot në Lipjan.
12 tetori nuk do të jetë një ditë ndryshimi, por një ditë konfirmimi. Dhe konfirmimi, për shumicën dërrmuese të qytetarëve, duket se është ky, Imri Ahmeti, sërish kryetar.
COMMENTS