Nga: Granit Duriqi
Sot është e pamundur të mos e vëresh një fenomen që po shfaqet me vrull në shoqërinë tonë – vajza të reja, shumë prej tyre pa asnjë ditë pune në jetë, që shfaqin në rrjetet sociale një jetë luksoze që as biznesmenët më të suksesshëm nuk e kanë pasur në moshën e tyre.
Çanta të markave të njohura si Prada e Gucci, pushime në Dubai, Saint-Tropez apo Mikonos, telefona të tipit më të fundit, vetura që për shumicën janë ëndërr e paarritshme. E kur i pyesim se çfarë punojnë, përgjigjet janë të mjegullta, apo edhe qesharake: “vajza e dikujt që punon në një pompë derivatesh”, ose “familje e thjeshtë”, por pa ndonjë burim real të të ardhurave.
Atëherë, pyetja që del natyrshëm është: me çfarë po e mbulojnë këtë jetë luksi? Sepse është e qartë që jo me punë. A mos vallë me shpinen e tyre – me diçka që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e traditës sonë shqiptare – shitjen e trupit për një jetë të shpejtë e të zbrazët?
Na vjen natyrshëm të kujtojmë nënat dhe gjyshet tona. Ato që, pa Prada, pa iPhone, pa filtra e pa “likes”, na rritën me dinjitet, me mund dhe përkushtim. Ato që i dhanë jetës kuptim përmes sakrificës, jo përmes shfaqjes. Ato që nuk shitën kurrë as trupin, as karakterin, por na mëkuan me moral dhe me respekt për punën.
Nuk kam asgjë personale kundër askujt. Por më vret shpirti kur shoh që ky model i rremë jetese po i helmon gjeneratat e reja. Sepse ajo që sot glorifikohet si “jetë e bukur” është në fakt një mashtrim i madh. Po e mëson vajzën e re që të mos lodhet, të mos mësojë, të mos luftojë për veten, por të kërkojë rrugë të shkurtra. E rruga e shkurtër shpesh të çon në humnerë.
Sot ka më shumë mundësi se kurrë për t’u ngritur ndershëm. Me punë, pasion, durim dhe përkushtim, secili mund ta krijojë jetën që dëshiron, madje edhe luksin. Por jo duke pritur sponsorë, as duke u bërë skllave e vëmendjes, e aq më pak duke sakrifikuar nderin për disa klikime e udhëtime.
E di që në ditët e sotme, nëse flet për vlera, për moral, për dinjitet, ka nga ata që do të të shikojnë shtrembër, do të të përqeshin si “njeri rural”. Por përderisa më punon koka dhe penda – nuk ma ndjen fare për mendimin e tyre të shkreta. Sepse unë nuk i flas turmës që mashtron veten, por brezave që kanë nevojë për zgjim.
Demokracia ka ardhur me shumë sakrificë, me shumë gjak, me shumë mundime – por jo për t’u degjeneruar në këtë mënyrë. Jo për të parë brezin e ri të humbet veten në pasqyrat e rreme të rrjeteve sociale. Jo për të kthyer lirinë në një mallkim dhe të drejtën për të zgjedhur – në të drejtë për të devijuar.
Mesazhi i kësaj epoke të Instagramit është i rrezikshëm: “duku mirë, edhe nëse je bosh”. Por e vërteta është që jetët më të mbushura nuk janë ato që duken më shumë, por ato që ndërtohen me dinjitet.
Le të kthehemi tek rrënjët. Le të rikthejmë respektin për punën, për vetëbesimin, për edukatën. Sepse vetëm kështu rinia jonë do të jetë vërtet e lirë – jo skllave e filtrave dhe e lluksit të rremë.
COMMENTS