Shkruan: Granit Duriqi
Në Lipjan po ngrihet një realitet i ri… por jo ai që shohim me sy. Një realitet paralel, që po përpiqet me zor të na e fusë në mendje opozita, një Lipjan të rrënuar, të shkatërruar, si me qenë pas ndonjë lufte të përmasave biblike. Kur e dëgjon këtë narrativë, të duket sikur qytetarët jetojnë në gërmadha, e jo në një qytet që dita-ditës po i ngjan standardit urban europian.
Por qytetari i Lipjanit nuk është pjesë e ndonjë filmi fantashkencor. Ai ka sy, që nuk i ka blerë opozita, dhe me ata sy sheh një qytet që ka ndryshuar.
Sepse le ta themi troç: në vitin 2013, Lipjani nuk ishte qytet, ishte një kombinim interesant midis baltës, errësirës dhe fjalës “nesër”. Më shumë se gjysma e lagjeve të qytetit nuk kishin asfalt, dritat rrugore ishin njëlloj si drita e syve të opozitës sot, FIKUR. Fshatrat? Ishin si një ekspozitë realiste e jetës në vitet ’80-ta’, rrugë me gropa që të hynin në shpirt, kanalizime të pakta ose fare, e ndonjëherë edhe ndriçimi publik mbështetej te shpresa, ose tek ndonjë frigorifer i hapur në dhomën e dritares më afër rrugës.
Shkollat ishin si të ndërtuara nga ndonjë kursant i vitit të parë të arkitekturës, çerdhet… cilat çerdhe?, ambulancat ishin më shumë kujtim se funksion.
Tani, po dëgjon opozitën dhe e kupton që janë gati me na bind që e gjithë kjo që po e shohim sot, është mashtrim optik. Lagjet e asfaltuara janë thjesht iluzione. Ndriçimi është montazh. Shkollat e reja janë holograme. Çerdhet moderne, o janë dekor për fushatë, o janë ndërtuar nga ndonjë OJQ e panjohur. Asgjë s’ka ndodhur, sipas tyre. Jemi thjesht ne qytetarët që po fantazojmë një zhvillim që në fakt, nuk ekziston.
Dhe kjo është arsyeja kryesore pse Imri Ahmeti është zgjedhur tre mandate rresht. Jo pse është magjistar, por sepse opozita nuk hyn në zgjedhje me kauzë, po me kalkulime, akuza bajate, dhe me të njëjtat fytyra që e kanë bërë partinë si pasuri të trashëgueshme: sot nipi, nesër daja, pasnesër axha që ka ardhë prej Suedie.
Në vend që të ndërtojnë një vizion të ri, opozita vjen me një disk të vjetër, të gërvishtur, që përpiqet të thotë: “Lipjani është katastrofë!” ndërkohë që qytetari në atë moment po i bie llampës moderne me senzor për të hy në oborrin e asfaltuar. Dhe s’ka ironi më të madhe se kjo: të flasësh për errësirë, kur qytetari po i mbyll dritat me aplikacion në telefon.
Ndërkohë, Imri Ahmeti nuk është marrë me fjalë, sharje e ndarje. Ka qenë i qetë. E ka ndërtuar Lipjanin gur më gur, projekt më projekt, lagje më lagje. Ai nuk ka përdorur fjalë të mëdha, por ka vendosur gjëra të thjeshta që mungonin: asfalt, ujë, ndriçim, shkolla, çerdhe, kanalizime, gjëra që s’duken “seksi” në fushatë, por që e bëjnë jetën më të lehtë çdo ditë.
E kur e sheh këtë kontrast, njëra palë që flet për apokalips, tjetra që ndërton pa zhurmë, kupton edhe arsyen pse qytetari i Lipjanit i beson më shumë syve sesa veshëve.
Sepse qytetari e din: nuk i la në baltë ai që ia ka tharë rrugën. Nuk i thotë “Lipjani është katastrofë” ai që ia ka ndriçuar lagjen pas shumë vite pritje. Nuk vjen me “shpëtimtar” ai që e ka pas rastin dhe ka zgjedh me ik në pushim 12 vjet rresht.
Zgjedhjet janë afër. Dhe vota është personale, por kujtesa është kolektive.
E kjo satirë që po mundohet me u shndërru në realitet, nuk pin ujë në qytetin ku kanalet tashmë funksionojnë.
COMMENTS