Pas numërimit të rreth 70% të kutive me vota në Komunën e Lipjanit, rezultatet e deritashme tregojnë një epërsi të qartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila deri më tani ka siguruar 47.34% të votave.
Në bazë të llogaritjeve sipas sistemit D’Hondt, që përdoret për ndarjen e ulëseve në kuvendet komunale, kjo përqindje i siguron LDK-së rreth 16 ulëse nga gjithsej 31 sa ka Kuvendi Komunal i Lipjanit.
Pas LDK-së renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 31.48% të votave, që përkthehet në 10 ulëse, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (VV) me 15.62% të votave siguron 5 ulëse.
Partitë tjera, AAK (1.41%), Guxo (1.12%), Nisma (0.86%) dhe PDAK (0.86%) – mbeten pa përfaqësim në këtë fazë të numërimit.
Ndërkohë, sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komuniteteve jo-shumicë në komunat me shumicë shqiptare u garantohet së paku një ulëse në Kuvendin Komunal, në rast se asnjë përfaqësues i tyre nuk fiton vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur. Në këtë rast, Lista Serbe, e cila ka 1.31% të votave, do të ketë një ulëse të garantuar në përbërjen e Kuvendit të Lipjanit.
Sipas këtyre përqindjeve dhe rregullave ligjore, ndarja orientuese e ulëseve në Kuvendin Komunal të Lipjanit është si vijon:
LDK – 16 ulëse
PDK – 10 ulëse
VV – 4 ulëse
Lista Serbe – 1 ulëse (e garantuar për pakicat)
Rezultatet mbeten jo përfundimtare, pasi procesi i numërimit të votave është ende në zhvillim, dhe ndryshime të vogla janë të mundshme pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
COMMENTS