“Lipjani pa zë, LDK pa kandidatë – A po fshehet diqka prapa heshtjës së Imri Ahmetit

“Lipjani pa zë, LDK pa kandidatë – A po fshehet diqka prapa heshtjës së Imri Ahmetit

22 Tetori, dita e triumfit te madh dhe rekordeve te Imri Ahmetit

Shkruan: Granit Duriqi

Kandidatët e LDK-së për kryetar të komunave kanë filluar t’a zyrtarizojnë kandidimin e tyre në të gjithë vendin. Emrat po publikohen njëri pas tjetrit – disa me bujë, disa me fushata energjike – për të treguar se partia është e organizuar, e vendosur dhe gati për zgjedhjet e tetorit.

Por në Lipjan? Heshtje totale. Asnjë emër, asnjë sinjal, asnjë lëvizje publike. Vetëm një zbrazëti që bëhet gjithnjë e më shqetësuese teksa afrohet dita e zgjedhjeve.

Ndërkohë, kandidatët e partive të tjera në në Lipjan, përjashto atë të VV-së kanë zyrtarizuar kandidaturat dhe kanë nisur punën prej kohësh – tre muaj para zyrtarizimit të fushatës. Ata takohen me qytetarë, ndërtojnë strategji dhe fitojnë besimin e votuesve në heshtje dhe me përkushtim. Ky kontrast i madh bën mungesën e një kandidati të zyrtarizuar nga LDK në Lipjan edhe më të dukshme.

Heshtja nuk është më thjesht vonesë apo taktizim politik – është bërë shqetësim publik dhe burim dyshimesh. Imri Ahmeti, i cili për tri mandate ka udhëhequr Lipjanin nën siglën e LDK-së, duket si figura në pritje, por pa një përgjigje të qartë: A është ai ende kandidati?

Disa mendojnë se kjo heshtje është një lloj strategjie – një “poker face” politik ku Ahmeti i lejon kundërshtarët të mendojnë se nuk do të kandidojë, vetëm për të dalë më vonë si surprizë. Por ka edhe hipoteza më të ftohta: sondazhet e realizuara në terren nga UBO Consulting tregojnë se LDK-ja nuk është më po aq e fortë në Lipjan si më parë. Kjo ndoshta po e frikëson partinë dhe po e detyron të shtyjë vendimin.

Sun Tzu, në veprën e tij të famshme “Arti i Luftës”, na la një mësim të thjeshtë dhe të fuqishëm:

“Në luftë, ai që vonon vendimin shpesh humbet betejën.”

Kjo fjali nuk është vetëm për ushtarët dhe komandantët, por edhe për politikanët që duan të fitojnë besimin e qytetarëve. Heshtja e gjatë dhe pavendosmëria janë armiqët më të mëdhenj të çdo kandidati.

Në fund, qytetarët nuk kërkojnë shfaqje spektakolare apo manovra të fshehta. Ata kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi. Ata dëshirojnë të dinë kush do t’i përfaqësojë dhe pse.

Nëse LDK-ja dëshiron ta mbajë Lipjanin si bastion, duhet të veprojë me qartësi dhe vendosmëri. Nëse Imri Ahmeti është kandidati, le të dalë e ta konfirmojë atë. Nëse jo, le të shpjegojë arsyet. Sepse heshtja që vazhdon të mbulojë këtë çështje nuk është më strategji – është dobësi që mund të kushtojë shumë.

Sepse kur kutitë e votimit të hapen, nuk do të ketë më vend për fshehje apo justifikime.

Koha do të tregojë të gjitha. Jemi ende tri muaj larg nisjes zyrtare të fushatës, pra ende ka kohë që LDK-ja ta zgjidhë këtë “mister të heshtjes”. Por nëse Imri Ahmeti nuk del nga “labirinthi” i tij politik, atëherë lind pyetja: A ka ndonjë “hero të fshehur” në LDK-në e Lipjanit që mund t’a marrin “fakulltaren” dhe ta çojnë fushatën deri në fund? Apo do vazhdojmë të shohim akrobatika politike ku të gjithë presin që dikush tjetër të dalë e të bëjë punën?

Sepse dihet në Lipjan, LDK-ja është pothuajse si “Imri Ahmeti Inc.” – me një logo, një fytyrë dhe një emër që të gjithë i njohin mirë. Nëse ky emër mungon, do jetë si një serial televiziv pa protagonistin kryesor: i mbetur vetëm me role dytësore që përpiqen të mbajnë audiencën zgjuar.

Prandaj, shtrëngoni rripat, sepse mund të jetë një sezon zgjedhjesh plot surpriza, me lojëra të fshehta, lajme që vonohen dhe pyetje pa përgjigje… dhe ne do jemi këtu, duke i ndjekur me kokoshka në dorë.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)