Azem Bejtë Galica ka lindur më 10 dhjetor 1889 dhe ka rënë më 26 korrik të vitit 1924.
Azem Bejta ishte luftëtar i shquar për çlirim e bashkim kombëtar, organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912–1924.
Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane.
Pas shpalljes së pavarësisë luftoi në fillim, më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Pati përkrah tij deri në fund gruan e vet Shotë Galicën.
Sipas direktivave të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në vitin 1919 mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit, më 1921-1923 mbrojti Zonën Neutrale të Junikut, që shërbente si bazë e kryengritësve të Kosovës e të Malësisë dhe përkrahu kryengritjen e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kundër regjimit reaksionar feudo-borgjez.
Në vitin 1924 Azem Galica dërgoi luftëtarë për të marrë pjesë në Revolucionin demokratikborgjez të Qershorit. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924, për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, “Arbanisë së Vogël”.
Vdiq më 26 korrik 1924 në moshën 35 vjeçare. Varrimi i tij u bë në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra i thellë, ashtu siç e kishte la amanet.
COMMENTS