BALLKANI NË EPOKËN “AMERIKA E PARA”

BALLKANI NË EPOKËN “AMERIKA E PARA”

YAHR-i me aktivitete të vetëdijesimit me nxënësit e gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan

Politika e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, “Amerika e Para,” apo me fjalë të tjera politika e tërheqjes, është duke pasur ndikim pothuajse në çdo sferë të politikave ndërkombëtare.

Për shembull, mungesa e lidershipit të SHBA-së në ndryshimet klimatike globale dhe në tregtinë ndërkombëtare ka krijuar vakum i cili është duke u shfrytëzuar nga vende tjera të fuqishme, siq është Kina. Mungesa e lidershipit të SHBA-së ka filluar të ndihet edhe në politikat rajonale, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.

Ballkani pas përfundimit të Luftës së Ftohtë ishte në qendër të vëmendjes së SHBA-ve dhe ishte rajoni ku SHBA-të demonstruan lidershipin dhe epërsinë në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1995, Shtetet e Bashkuara ishin fuqia kryesore që i shtynë serbët (aleatët kryesorë të Rusisë në Ballkan), të tërhiqeshin dhe ta njohin Bosnje dhe Herzegovinën si një vend të pavarur.

Po ashtu në vitin 1999, ishte NATO, e udhëhequr nga SHBA, e cila ekzekutoi fushatën bombarduese kundër Serbisë, për të ndaluar spastrimin dhe shtypjen etnike kundër popullit shqiptar në Kosovë. Gjatë kësaj fushate ishte bombarduar edhe ambasada kineze në Beograd.

Sot në Ballkan, SHBA vazhdon të jetë e pranishme, me Kampin Bondsteel në Kosovë, e cila është baza më e madhe dhe më e shtrenjtë ushtarake e ndërtuar nga SHBA-të në Evropë që nga Lufta e Vietnamit. Gjithashtu, së shpejti këtë vit do të përurohet edhe Kompleksi i ri i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, e cila është një nga ndërtesat më të mëdha të ambasadave të SHBA-ve në Evropë. Vlen të përmendet se ky kompleks filloi të ndërtohet në periudhën e administratës së Obamës. Por, përveç SHBA-së dhe aleatit të saj, Bashkimit Europian, i cili është ngadalësuar në përpjekjet për të tërhequr vendet e Ballkanit Perëndimor drejt vetes, aktorë të tjerë globalë, siq është Rusia, Kina, Japonia dhe madje edhe Arabia Saudite kanë filluar të jenë aktiv në Ballkan.

Gjatë viteve të fundit, Rusia ka rritur fushatën e dezinformimit dhe ndikimit në Ballkan. Rusia nëpërmjet fushatës së mediave dhe mjeteve të tjera të fuqisë së butë po përpiqet të parandaloj vendet e rajonit që të bashkohen me aleancat perëndimore të NATO-s dhe BE-së dhe t’i mbajë ato larg ndikimit perëndimor.

Kur Mali i Zi, për shembull, shihej se ishte duke lëvizur më pranë anëtarësimit në NATO vitin e kaluar, Rusia dyshohet se mori pjesë në një grusht shtet për të përmbysur dhe vrarë kryeministrin properëndimorë, me qëllim që të sillte një parti proruse në pushtet. Sipas rrjedhjes së dokumenteve të klasifikuara nga agjencia e inteligjencës në Maqedoni, ka rreth dhjetë vite që kur spiunët dhe diplomatët rusë janë duke përhapur propagandë dhe duke provokuar mosmarrëveshje dhe konflikte në Maqedoni.

Edhe vrasja e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, pikërisht në ditën kur do të rifillonin bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, bisedime këto të cilat synojnë normalizimin e marrëdhënieve, i cili është kusht për anëtarësim në BE, mund të jetë i ndërlidhur me aktivitetet ruse në rajon.

Nenad Çanak, kreu i një partie opozitare serbe, ka spekuluar se Rusia orkestroi vrasjen me përdorimin e një vrasësi serb, në mënyrë që të vazhdojë fushatën e saj për të destabilizuar rajonin. Pretendimi është i besueshëm duke pasur parasysh faktin se Rusia është e përfshirë edhe në vendet tjera të rajonit si në Mal të Zi dhe Maqedoni. Nga ana tjetër, një stërvitje e përbashkët ushtarake në mes ushtrive të Rusisë dhe Serbisë ndodhi në vitin 2016. Për më tepër, Rusia transferoi gjashtë avionë luftarakë MiG-29 në Serbi vitin e kaluar, dhe gjithashtu premtoi dorëzimin e 30 tankeve dhe automjeteve të blinduara.

Kur është fjala për Kinën, përmes “Nismës së Brezit dhe Rrugëve,” ajo është bërë një lojtar në Ballkan. Gjatë viteve të fundit, Kina ka filluar të realizoj investime e mëdha në Serbi me qëllim krijimin e një infrastrukture rajonale që lehtëson arritjen e mallrave kineze në tregjet evropiane. Kinezët parashikojnë përdorimin e portit grek të Pireut, pranë kryeqytetit grek, Athinës, i cili momentalisht kontrollohet dhe operohet nga kompania kineze COSCO, me qëllim të lëvizjes së mallrave në Ballkan dhe në BE.

Kina tani po investon shumë në hekurudhat dhe sistemet e autostradave të Serbisë dhe po investon në ndërtimin ose riparimin dhe rindërtimin e urave dhe rrugëve, ose krijimin e infrastrukturës së re rrugore, siç është ndërtimi i një autostrade prej 740 milionë dollarësh që do të lidhë kryeqytetin serb, Beogradin me qytetin bregdetar Bar në Mali të Zi. Projekti më interesant është investimi prej 3 miliard dollarësh për të ndërtuar një lidhje hekurudhore 350 kilometërsh për tren të shpejtë në mes kryeqytetit hungarez, Budapest dhe Beogradit. Gjithashtu, projekti TPP Tuzla blloku 7 në B&H, i cili kap vlerën mbi 800 milionë euro, konsiderohet të jetë një investim kinez. Të gjitha këto investime tregojnë se Kina është më aktive në rajon se kurrë më parë.

Për të balancuar zgjerimin kinez në rajon, pak javë më parë, kryeministri japonez Shinzo Abe bëri një vizitë në Bullgari, Serbi dhe Rumani. Udhëtimi i tij në rajonin e Ballkanit ishte një hap për të rritur sferën e saj të ndikimit nëpërmjet përdorimit të fuqisë së butë dhe përdorimit të fuqisë së saj financiare si mjet diplomatik.

Premtimi për të investuar në projekte thelbësore të energjisë, siç është ndërtimi i njësisë së desulfurizimit të termocentralit Nikola Tesla, investimi në industritë farmaceutike, bujqësore dhe të IT-së në Serbi, ose duke përdorur ekspertizën e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për të identifikuar fushat potenciale për bashkëpunim ekonomik, mund të konsiderohen si kundërmasa të Japonisë për të parandalur rritjen e ndikimit kinez në Ballkan, veçanërisht në Serbi. Japonia po përpiqet ta arrijë këtë duke e rritur rolin e saj diplomatik në rajon. Në këtë kontekst, gjatë qëndrimit të tij në Serbi, Abe propozoi një “Iniciativë për Bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor,” në kuadër të sëcilës parashihet që Japonia të emëroj një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë.

Turqia gjithashtu ka rritur ndikimin e saj në Ballkan, ku përveç marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe B&H, është duke i përmirësuar marrëdhëniet e saj edhe me Serbinë dhe Bullgarinë.

Vizita e fundit e Presidentit Erdogan në Beograd ishte e një rëndësie të veçantë. Gjithashtu, restaurimi i kishës bullgare në Stamboll, ku Presidenti turk dhe Kryeministri bullgar ishin të pranishëm në hapje, ishte një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Mirëpo, vlenë të theksohet se ndikimi i Turqisë në Ballkan nuk është diçka e re, pasi ajo ka një lidhje historike me rajonin për më shumë se gjysmë mijëvjeçari si dhe i ruan lidhjet me pakicat turke në vendet e ndryshme të Ballkanit.

Edhe Shtetet e Gjirit kanë rritur ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të fundit. Arabia Saudite konsiderohet të ketë një qasje më ideologjike, duke kërkuar një rol të fortë në mesin e muslimanëve të rajonit.

Zgjerimi i ndikimit të Shteteve të Gjirit në rajon duke paraqitur interpretime më strikte të Islamit që nga lufta e viteve 1990 në Bosnje, rezultoi me një rritje të konsiderueshme të radikalizimit në mesin e të rinjve. Si rezultat, më shumë se një mijë shtetas nga vendet e Ballkanit Perëndimor vlerësohet të kenë udhëtuar për në Siri dhe Irak për të iu bashkuar ISIS-it dhe grupeve tjera terroriste që nga viti 2012.

Si përfundim, mund të themi se në vitet e fundit, Ballkani është bërë një vend ku aktorët global janë duke e rritur ndikimin përmes fuqisë së butë. Politika “Amerika e para” e Trump-it dhe periudha e pas Luftës së Ftohtë, e cila ka krijuar hapësirë për shtetet që të jenë më fleksibile në politikën e tyre të jashtme, janë shtytësit kryesorë të këtij fenomeni. Vetëm një lidership aktiv dhe angazhim i fuqishëm i BE-së në partneritet me SHBA-të mund ta bashkoj dhe ta integroj tërë rajonin. Përndryshe, vendet e Ballkanit do të mbeten të paqëndrueshme dhe do të ndahen në sfera të influencës të fuqive të ndryshme globale dhe rajonale.

(Autori është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare)

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)