Nuk ka liberalizim pa luftimin e korrupsionit

Nuk ka liberalizim pa luftimin e korrupsionit

“Restaurant Veranda Mia” në Lipjan, vend ideal që të kaloni fundjavën

Kosova mbetet të shënojë rezultate më të prekshme në luftën kundër korrupsionit për ta bindur Bashkimin Evropian se ky kriter i përcaktuar për liberalizimin e vizave do të konsiderohet i përmbushur, thonë njohës dhe monitorues të çështjes anti-korrupsion.
Ndonëse luftimi i kësaj dukurie konsiderohet si kriter i vazhdueshëm, Bashkimi Evropian ka kërkuar që institucionet ta dëshmojnë me vepra konkrete se po e luftojnë atë.

Që nga muaji maj i vitit 2016, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Që nga ajo kohë dy këto kriterembeten në plotësim e sipër, para se Kosova të marrë miratimin përfundimtar të vendeve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.

Rezultatet e treguara sa i takon luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit nuk janë të kënaqshme.

Drejtori i këtij organi, Shaip Havolli tha për Radion Evropa e Lirë se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter për liberalizimin e vizave, ende nuk mund të konsiderohet i përmbushur.

“Menjëherë pas aprovimit të Demarkacionit, kusht tjetër është luftimi i korrupsionit. Kështu që nuk mund të themi që të gjitha këto kushte i kemi plotësuar për të përftuar liberalizimin e vizave. Edhe bazuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shihet se në Kosova ka një progres të theksuar, por megjithatë ende kusht kryesor është luftimi i korrupsionit nga institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë. Nuk kemi bërë edhe aq sa duhet në luftimin e korrupsionit”, tha Havolli.

Ai thotë se agjencia të cilën e drejton, ka hartuar një strategji kundër korrupsionit e cila i është dorëzuar Qeverisë dhe pret që shumë shpejt, ajo të aprovohet si strategji kombëtare.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shënuar progres të lehtë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Një prej kushteve, përveç Marrëveshjes së demarkacioni të kufirit me Malin e Zi, kriter kryesor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës mbetet edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk është vetëm kriter i Bashkimit Evropian, është detyrë dhe obligim i institucioneve për të përmbushur njërin nga kriteret më të rëndësishëm të sundimit të ligjit. Mendoj se ka pasur ecje pozitive këtyre viteve të fundit sa i përket këtij kriteri”, tha Deliu- Kodra.

Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, shton ajo e dëshmojnë edhe raportet ndërkombëtare.

Deliu-Kodra thotë se është vërejtur efikasitetet edhe tek korniza ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Ajo thotë se është një numër i madh i ligjeve që kanë ardhur në Kuvendin Kosovës e që janë të lidhur drejtpërdrejt me agjendën e integrimit evropian.

“Mbetet edhe më tutje sfidë e institucioneve që duhet të këtë mekanizma të përhershëm për t’u marrë me këtë dukuri që është e theksuar në shumicën e shteteve jo vetëm të atyre që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe shteteve që janë bërë tanimë pjesë e familjes evropiane”, thotë Deliu- Kodra.

Sidoqoftë, sundimi i ligjit, rendi ligjor, ekonomia e tregut dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, mbeten kritere për secilin vend që aspiron integrimet evropiane duhet t’i plotësojë. /REL/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)