Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili kanë pranur setin e pajisjeve bazike për Kujdesin Parësor Shëndetësor, të ofruar nga projekti “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor”, nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Në këtë rast, Kryetari Ahmeti tha se ky donacion do të jetë një ndihmesë e mirë për efikasitet më të madh të punëtorëve shëndetësor. Ai duke falenderuar donatorët për këtë donacion në të njejtën kohë ka kërkuar përgjegjësi të shtuar dhe menaxhim më të mirë në shërbim të ndërtimit të shërbimeve cilësore dhe efikase.
“Ne do të mbajmë me fokus shëndetësinë, do të investojmë në infrastrukturë dhe aparaturë të nevojshme mjekësore, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë më efikase në furnizim me barna esenciale në menyrë që të përmbushen nevojat e pacienteve”, ka thënë Kryetari Ahmeti. Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha se mjekësia primare është dera e parë e qytetarëve andaj edhe investimi në këtë sektor duhet të rritet edhe nga autoritetet qendrore edhe nga ato lokale.
“Ministria e Shëndetësisë do të jetë partner të gjitha komunave që të ketë një strategji më të fuqishme sa i përket mjekësisë primare”, është shprehur Ministri Ismaili.
Bernhard Soland, zëvendësdrejtor i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), tha se para se të fillonte projektin kanë analizuar situatën në mjekësinë primare për të parë se si është gjendja me pajisjet themelore. Ai tha se kanë vërejtur që në mjekësinë primare ka mungesë të pajisjeve andaj edhe kanë vendosur që të bëjnë një donacion të tillë. Ndërsa Agim Krasniqi, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Lipjanit, tha se këta artikuj do të ndikojnë në ofrimin e shërbimit më të mirë në këtë qendër në Lipjan. Këto pajisje përfshijnë 15 artikuj bazik si peshore, pajisje për matjen e tensionit të gjakut dhe pajisje për operime të vogla dhe këta 15 artikuj tani janë shpërndarë në më shumë se 80 qendra të KPSH-së në 12 komuna që mbështeten nga projekti në me mesin e të cilit është edhe Komuna e Lipjanit.
COMMENTS