Mëngjesin e sotëm forca të shtuara të Policisë së Kosovës u nisën drejt veriut të Mitrovicës.
E gjithë kjo u bë për të mos lejuar që përfaqësues serb të futen në territor të Kosovës pa pasur leje nga institucionet përkatëse.
Por ajo çfarë ka shqetësuar pjesëtarët e Njësisë ROSU dhe Njësisë FIT të Policisë së Kosovës është mungesa e ushqimit.
Ora tashmë shënon 14:40 teksa këta të fundit ende nuk janë ushqyer.
Në kushte anonimiteti për Indeksonline është bërë e ditur se pjesëtarët e Njësisë ROSU nuk janë ushqyer ende fare teksa pjesëtarët e Njësisë FIT janë detyruar të sigurojnë vetë ushqimin.
Pjesëtarët policor janë ankuar për këtë neglizhencë përderisa nuk dihet se deri kur do të jenë të detyruar të presin për ushqim dhe për qëndrim në veri të vendit.
Duhet shtuar se gjendja në veri sot ka qenë mjaft shqetësuese për të gjithë përderisa nuk dihet nëse Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq qëndron në Kosovë pasi dyshohet se është futur mbrëmë nëpërmjet rrugëve ilegale në territor të Kosovës.
Gjithashtu gjatë ditës Indeksonline ka raportuar se njëri prej ministrave të Serbisë është kthyer me vetëdëshirë në pikën kufitare edhe pse i është dhënë leja për të hyrë në Kosovë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se ministrat të cilët do të tentojnë të futen në territorin e Kosovës pa leje, do të arrestohen./Indeksonline/
COMMENTS