Një adoleshente kanadeze jo vetëm që fitoi lotari, por iu dha mundësia të zgjidhte nëse do të pranonte 1 milion dollarë menjëherë, apo 1000 dollarë çdo javë, për gjithë jetën? Dhe kjo mëdyshje nuk është e lehtë.
Kjo mëdyshje është nga më të bukurat që mund të kesh, dhe shumë shkatërruese për ne të tjerët që ndoshta s’do të përballemi kurrë me një pyetje të tillë. Një adoleshente kanadeze që fitoi lotarinë pasi bleu biletën e saj të parë, për të festuar 18-vjetorin e lindjes, u vu para dy mundësive: të merrte 1 milion dollarë kanadezë në shtëpi, apo të merrte 1000 dollarë çdo javë, për të gjithë jetën.
Pasi u këshillua me një konsulent financiar, Charlie Lagarde zgjodhi versionin e dytë. Këshilltari i tha që meqë pagesa javore vjen pa taksa, vlen sa rrogat vjetore prej 100,000 dollarësh, me gjithë taksa. Ekonomia kanadeze është e qëndrueshme, dhe ky fakt është një favor për Lagardën. Kostoja e jetesës është po ashtu e lirë. Sa për inflacionin që do t’ia pakësojë vlerën e 1000 dollarëshit, Lagardës do t’i duhen 30 vite jetë për t’i arritur ato 1 milionët që do të merrte tani.
Dimrin e shkuar Kanadaja njoftoi se do të shqyrtonte idenë e “të ardhurave bazike universale”, një sistem që bën të mundur që çdo banor, pavarësisht të ardhurave apo pronave që ka në gjendje, merr një pagesë nga sistemi i lotarisë, e cila garanton jetesën bazë. Lagarde jeton në Kebek, në shtetin që po teston të ardhurat bazike universale.
Zgjedhja e Lagardës ngjall debate të shumta (edhe në zyrën tonë). Ideja që mund të marrësh 1 milion dollarë njëherësh, është mjaft tunduese. Por po të jetosh në qytete si Londra apo në vende të tjera të shtrenjta, dhe nëse blen pronë në një zonë të pëlqyer, nuk do të të mbetej shumë nga ajo shifër.
Pavarësisht vendit ku jeton, tundimi për të marrë gjithë shumën njëherësh do të ishte i madh. Por të mos harrojmë Michael Carroll, 19-vjeçarin nga Norfolku i Anglisë që fitoi 10 milionë sterlina nga Lotaria Kombëtare e Britanisë në vitin 2002, dhe për pak vite shpenzoi shumicën e parave me lukse të tepruara, duke u ndjekur hap pas hapi edhe nga shumë media. Kjo ndodh shpesh mes personave që fitojnë shuma të mëdha lotarie. Një studim ka zbuluar se fituesit e lotarive në Amerikë kanë më shumë gjasa se njerëzit normalë që të shpallin falimentimin brenda 3-5 vitesh. Është si të lësh një fëmijë të lirë në një dyqan të madh lodrash, ku mund të blejë ç’të dojë. Duhet një forcë e madhe vullneti që t’i rezistosh tundimit.
Sandra Hayes, një fituese lotarie në Amerikë dhe ish punonjëse sociale, tha se shumë njerëz që kanë fituar lotarinë para shumë vitesh, sot janë të varfër. “Nëse nuk ke disiplinë, do të përfundosh pa parà. S’ka rëndësi se sa parà ke tani”, thotë ajo. “Kini parasysh se kur të tjerët e dinë që keni rënë në pasuri, miqtë e të afërmit do të duan një copëz. Këta njerëz që i ke dashur shumë papritur kthehen në vampirë që të thithin gjakun”, thotë Hayes.
Një studim interesant në Kanada zbuloi se edhe pse fituesit e lotarive përfundonin shpesh pa parà, ndodhte dhe një dukuri tjetër: fqinjët e fituesve përballeshin me probleme financiare po njësoj, sepse përpiqeshin të ruanin të njëjtin nivel shpenzimesh si banorët fatlumë.
Një faktor që ndikon në vendimin e Lagarde mund të jetë fakti që ajo i përket brezit të “mijëvjeçarëve”, (millenials), të cilët kanë pasiguri ekonomike më të lartë se brezat e mëparshëm. Është brezi që bën praktikë pune (stazh) pa pagesë; që nuk përballon dot prona me cilësi të mirë; që qortohet shpesh për konsumin e lartë të avokados, gjë që s’është aspak e sjellshme, meqë ra fjala (Shënim: autorja i bën referencë një lajmi ku një milioner australian i këshillon të rinjtë të mos hanë aq shumë ushqime të shtrenjta, si sanduiçët me avokados, nëse duan të bëjnë parà). Kjo situatë mund ta ketë ndikuar Lagardën që të zgjedhë stabilitetin ekonomik përkundrejt mundësisë për të shpenzuar pa masë, si Carroll.
Pas disa mendimeve të kujdesshme, vendosa që edhe unë, gjithashtu, do të kisha zgjedhur më mirë 1000 dollarë në javë, pa më kërkuar taksa. Kjo shifër do të mundësonte këdo të bënte punë me kohë të pjesshme, pa orar, dhe pa stresin për të gjetur se nga do të vijë rroga tjetër. Siç thashë, është e ngjashme me sistemin bujar që jep të ardhura bazike universale, diçka që unë e mbështes. E pranoj që s’do të ishte aspak e lehtë të hiqje dorë nga ideja e një pasurie ekstravagante, ose e një shtëpie në fshat, me 11 dhoma gjumi, të cilat i shoh vazhdimisht në faqet e shitblerjeve si ato të “Knight Frank’s”. Por ama, duke ditur se kam një pagesë të sigurt, pa taksa, plus të ardhura të tjera nga puna, rehatia që do të më garantohej në jetë do të ishte mëse e mjaftueshme.
Lagarde, nga ana e saj, do të vazhdojë studimet dhe shpreson që një ditë të bëhet fotografe, një karrierë tepër e rrezikshme për sa i përket parave. Por tani s’ka pse ta vrasë mendjen për këtë.
Po ju? Ç’do të zgjidhnit? Nëse e gjeni veten në këtë pozitë një ditë, më vini dhe mua në dijeni, që t’ju dërgoj listën e gjërave që dua të blej në internet si dhe një “link” me pronat nga faqja e “Knight Frank”. Faleminderit! Jeni shumë të sjellshëm!
Hannah Jane Parkinson, The Guardian.
TCH
COMMENTS