HAXHIU AKUZON LDK-NË SE NUK PO I JEP NËNSHKRIMET PËR HETIM TË SHIK-UT

HAXHIU AKUZON LDK-NË SE NUK PO I JEP NËNSHKRIMET PËR HETIM TË SHIK-UT

HARADINAJ EMËRON BEJTUSH GASHIN MINISTËR TË BRENDSHËM

Kanë kaluar më shumë se dy javë qëkur Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka rinisur me mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit Hetues Parlamentar me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Mirëpo deri më tani ky subjekt politik ka arritur të mbledhë vetëm 31 nënshkrime, ndërsa për ta formuar këtë komision hetimor nevojiten gjithsej 40 nënshkrime.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë për “Arbresh.info” se deri më tani kanë mbledhur 31 nënshkrime dhe sipas saj Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka hedhur më së shumti akuza ndaj SHIK-ut, nuk është shprehur e gatshme që të japë nënshkrimet.

“Në fakt po është e vërtetë ne kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve për Komisionin Hetimor për SHIK-un, deri më tani i kemi 31 nënshkrime do të thotë na duhen edhe nëntë nënshkrime. Jemi në kontakte edhe me disa deputetë të opozitës për faktin se nuk kemi pa gatishmëri nga Grupi Parlamentar i LDK-së për të dhënë nënshkrime. Për mua është e pakuptimtë se si GP i LDK-së nuk i jep nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut, duke qenë se pikërisht akuzat më të mëdha në drejtim të SHIK-ut kanë qenë nga LDK-ja, pra siç duket nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht për të hetuar SHIK-un, këtë e kanë bërë vetëm në fushata parazgjedhore dhe në anën tjetër kanë bashkëqeverisur me të”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka paralajmëruar që nëse edhe në këtë javë nuk do të arrijnë t’i mbledhin nënshkrimet atëherë në seancën e ardhshme të Kuvendit do ta vendosin si pikë të rendit të ditës.

“Jemi në diskutim edhe me disa deputetë do të thotë të cilëve nuk dua t’u përmend emrin tani, pra na duhen edhe nëntë nënshkrime siç e thashë . Në qoftë se ne nuk do të mund t’i mbledhim gjatë kësaj jave atëherë do të detyrohemi që në seancën e ardhshme ta qesim si pikë të rendit të ditës dhe nëse merr votat e shumicës së deputetëve atëherë konsiderohet që është themeluar”, ka deklaruar ajo.

“Janë deputetë të pavarur ose pa grup parlamentar, por natyrisht do të diskutojmë edhe me deputetë brenda grupeve parlamentare sepse në mandatin e kaluar ndonëse LDK-ja nuk i jepte nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut, ka pasur deputetë të LDK-së, diku deri në pesë deputetë të cilët e kanë dhënën nënshkrimin pavarësisht që si grup nuk i jepnin. Prandaj do të bëjmë përpjekje do të thotë gjatë kësaj kohe dhe t’i takojmë këta deputetë, disa i kemi takuar por natyrisht që mbetet të shihet se a do të mund t’i mbledhim gjatë kësaj kohe”, ka pohuar Haxhiu.

Derisa deputetja Haxhiu, ka deklaruar se LDK-ja nuk ka shprehur gatishmëri për dhënien e nënshkrimeve, Arbresh.info ka kërkuar përgjigje edhe nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti mirëpo ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)