“Turistët iranianë” në Beograd në kërkim të azilit

“Turistët iranianë” në Beograd në kërkim të azilit

Rrëfimi nga Istogu për foshnjën e braktisur

Katër netët e fundit ai ka fjetur në një park. Në Beograd, 3700 kilometra larg shtëpisë. Më në fund. Arashi është i gëzuar që do të ketë një strehë mbi kokë në kampin e refugjatëve.

“Kam lindur dhe jam rritur në Teheran, si miqtë e mi”. Arashi dhe katër shokët e tij kanë ardhur para disa ditësh në Beograd. “Vendosëm të largohemi nga Irani, fillimisht shkuam në Turqi, nga aty erdhëm në Serbi, sepse është një vend më i mirë për të hyrë në BE”.

Iranianët lejohet të udhëtojnë pa vizë në Turqi. Prandaj Turqia është stacioni i parë për iranianët që duan të largohen nga vendi. Pas kësaj udhëtimi vazhdon në stacionin tjetër. Me avion për në Serbi. Nga nëntori i vitit 2017 qytetarët iranianë lejohen të udhëtojnë pa viza në Serbi. Arsyetimi: Duam të nxisim turizmin dhe të lehtësojmë kushtet për investitorët e huaj.

Mundësi të reja udhëtimi

E nxitja për të ardhur me sa duket pati efekt: gjithnjë e më shumë iranianë janë të entuziazmuar nga mundësitë e reja për udhëtim. Një rol këtu ka luajtur edhe Rozbeh Roozbahani. Fotografi i njohur udhëtoi në vjeshtë nëpër Serbi dhe u tregoi ndjekësve të tij në rrjetet sociale pamje nga “bukuria e paprekur në juglindje të Europës”. “Serbia është momentalisht një destinacion mjaft i preferuar”, thotë Somayeh, që punon në një agjenci udhëtimesh në Teheran. “Klientët tanë udhëtojnë në Tajlandë, Dubai, Indi, Kinë. Tani ata gëzojnë që mund të udhëtojnë në Europën Juglindore pa vizë”. Këta iranianë me dëshirë për udhëtim dhe kurioz janë njerëz të një shtrese të vogël e me të ardhura të mira. Arashi dhe miqtë e tij nuk bëjnë pjesë këtu.

Në kërkim të një jete më të mirë

Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve në Iran është shumë i thellë. Papunësia, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) arrin 12%, por sipas llogaritjeve të tjera është dyfish më e lartë. Tek të rinjtë pakënaqësia është shumë e madhe. Arashi dhe shokët e tij iranianë, Afshini, Mehrani dhe Saeedi thonë se jeta e tyre në Iran “në një farë mënyre” rrezikohej. Afshin thotë se është dervish gonabadi, pjesë e një pakice fetare. Ata nuk kanë të drejta në Iran dhe nuk lejohet të studiojnë. “Isha në rrezik, më duhej të largohesha nga vendi”, thotë Afshin. Ndërsa Saeedi thotë se “të gjithë e dinë si jetojmë ne në Iran. Nuk ka liri. Mua donin të më prisnin veshin sepse bëra një piercing.” Nuk ka të ardhme për mua”, thotë Saeedi.

Këta të rinj kërkojnë një jetë më të mirë. Jashtë vendit. “Është si një sekret që e dinë të gjithë, që në këtë park në Beograd dhe në këtë rrugë ka shumë kontrabandistë”, thotë Stevan Tataloviç nga organizata Info Park në Beograd. Kjo organizatë këshillon migrantët që duan të vazhdojnë udhëtimin e tyre në Europën veriore. Sipas Info Park nga koha kur u hoq viza për qytetarët iranianë, nga vjeshta e kaluar, më shumë se 6000 “turistë iranianë” kanë hyrë në Serbi. Një numër i madh nuk kërkon të kthehet në vendlindje.

Në qorrsokak

“Ata vijnë si turistë dhe përpiqen të krijojnë lidhje me kontrabandistët që t’i çojnë në destinacionin e dëshiruar”, thotë Tataloviq. Por ky plan nuk funksionon gjithmonë. Numri i iranianëve që kanë kërkuar azil në Serbi është rritur nga nëntori i vitit të kaluar, nga 290 në nëntor 2017 në 431 vetë në mars 2018. Edhe Arashi e miqtë e tij kanë bërë kërkesën për azil, prandaj mund të strehohen në një kamp refugjatësh në Preshevë.

“Iranianët dinë shumë pak gjëra për Serbinë. Ata dinë vetëm, se nuk kanë nevojë për vizë”, thotë Stevan Tataloviç. “Por ata janë shumë mirë të informuar, se duhet të prezantohen që t’u njihet azili. Shumica rrëfejnë për përndjekje politike dhe fetare. Mes udhëtarëve iranianë në Serbi gjen edhe pjesëtarë të LGBTQ-së. Por kur autoritetet pyesin më me hollësi, ata nuk arrijnë të bindin. Prandaj shumica e kërkesave për azil refuzohen”, thekson Tataloviq./DW

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)