Drita e ka vazhduar rrugën drejt titullit të kampionit, duke e mposhtur Vllazninë e Pozheranit me rezultat 2:0. Skuadra gjilanase e ka ruajtur epërsinë prej tri pikësh në raport me Prishtinën, ndërsa ka shënuar rekord të ri në futbollin kosovar, duke i radhitur 23 ndeshje pa humbje.Megjithatë, trajneri Bekim Isufi e ka një vërejtje për futbollistët e tij. “Në fillim të ndeshjes po i bëjmë presion kundërshtarit dhe si rrjedhojë po ia dalim të shënojmë. Sot jam i kënaqur me atë që treguan futbollistët në pjesën e parë, por jo edhe në pjesën e dytë, pasi ne kishim një lojtar më shumë në fushë. Na mbetet të punohet që të jemi më agresivë në pjesën e dytë”, deklaroi Isufi për SuperSport. Në javën e ardhshme Drita do të ketë punë më të vështirë, pasi është mysafire e Llapit.
COMMENTS