Në Kosovë është hapur panairi i përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2018”, ku nga 174 kompani pjesëmarrëse më shumë se 50 për qind janë nga Serbia, e cila mbetet partneri kryesor në tregun e Kosovës.
Produktet në këtë panair po prezantohen edhe nga kompanitë vendore si dhe nga vendet si: Austria, Turqia, Gjermania, Italia, Çekia, Italia, Kroacia, Shqipëria dhe Zvicra.
Kompanitë nga Serbia, pjesëmarrëse në këtë panair, thonë se janë të pranishme në tregun e Kosovës ndër vite, derisa disa prej tyre synojnë tregun e Kosovës.
Në anën tjetër, kompanitë nga Kosova ankohen se me shumë vështirësi arrijnë të jenë pjesëmarrëse në panairet që organizohen në Serbi, andaj si rrjedhojë, thonë se janë shumë pak të pranishme në atë treg.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, brenda një viti, Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 400 milionë euro, derisa eksportet e Kosovës në Serbi në vit nuk e kalojnë vlerën prej 40 milionë euro.
Teuta Kurshumlija, menaxhere e eksportit në kompaninë ‘Stone Castle’ në Rahovec, e cila merret me prodhimin e rrushit dhe pijeve alkoolike, thotë se kanë arritur të depërtojnë me produktet e tyre në shumë vende të botës, por me shumë vështirësi dhe në nivel shumë të ulët të eksportit në Serbi.
Ajo thotë se Serbia u vendos barriera të shumta produkteve nga Kosova.
“Në tregun e Serbisë një nga problemet kryesore që kemi pasur gjatë panairit të fundit kanë qenë formalitet, kemi pasur probleme deri sa ka arritur malli në panair. Panairi kishte filluar derisa ne nuk i kemi pasur produktet e vendosura, ka probleme burokratike, shumë herë na ndodh edhe kur dërgojmë mostrat kemi probleme me dërgesa. Shteti i Serbisë nuk i pranon mbishkrimet ku shkruan Republika e Kosovës, të gjitha këto janë çështje burokratike që pengojnë punën tonë”, thotë ajo.
Arben Ferizi menaxher i shitjes në kompaninë “Apetit” nga Vushtrria, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e produkteve të mishit, thotë se janë prezent në tregun e Kosovës dhe arrijnë të eksportojnë në Maqedoni dhe Shqipëri.
Ai thotë se janë të gatshëm të jenë të pranishëm edhe në tregun e Serbisë, por që për shkak të problemeve që mund t’u paraqiten në këtë treg, nuk kanë tentuar që jenë prezent.
“Për momentin nuk ka ndonjë plan afatshkurtër për hyrje ne tregun serb, është një treg i madh dhe për një kompani si ne është i rëndësishëm, por që produktet kosovare hapsin në vështirësi në këtë treg. Realisht nuk kemi tentuar që të gjejmë ndonjë distributor të mishit në Serbi”, thotë Ferizi.
Megjithatë, me një problem të tilla nuk përballen kompanitë nga Serbia që eksportojnë në tregun e Kosovës.
Mirko Asanoviq përfaqësues i kompanisë “Aleva” nga Serbia tregon se për shumë vite i plasojnë prodhimet e tyre në Kosovë dhe se tani janë duke hulumtuar kërkesat e tregut. Ai thotë se varësisht kërkesave i plotësojnë ato përmes prodhimeve të tyre.
“Mendoj që panairet janë një mundësi e mirë që ekonomistët të takohen. Pjesëmarrja e madhe e ekspozuesve nga Serbia në këtë rast e dëshmoi këtë. Do të thotë interes ka për bashkëpunim dhe mendoj që ekonomia është gjithmonë mbi të gjitha”, tha Asanoviq.
Kompanitë serbe kanë prezantuar produktet e tyre në panairin “Prishtina 2018”
Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Serbisë kërkojnë që bizneset t’u drejtohen odave dhe Bordit Rajonal në rast të problemeve që mund t’i kenë me eksportin e produkteve të tyre në Serbi.
Marko Cadez kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë thotë për Radion Evropa e Lirë se në çdo panair të bujqësisë që organizojnë me Odën Ekonomike të Kosovës kanë bashkëpunim.
“Unë personalisht si kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, por edhe si kryetar i bordit tonë drejtues të Odës Rajonale për Ballkanin Perëndimor u bëj thirrje që kushdo që mendon se e ka ndonjë problem dhe nuk po mund të futet në treg ne jemi këtu që të ndihmojmë”, thotë Cadez.
Ai thotë se bizneset mund t’u drejtohen odave dhe Bordit Rajonal, ndonëse e pranon se ka edhe probleme që nuk mund të zgjidhen në këtë formë, ngase ato i takojnë politikës.
“Natyrisht disa probleme ne nuk mund t’i zgjidhin”, thekson ai, duke rikujtuar se shumë nga çështjet e tilla janë duke u trajtuar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi. Por, përfaqësuesve ekonomik, sipas tij, u intereson që edhe ato probleme të zgjidhen sa më shpejtë.
Ai tregon se tani në panairin që organizohet në Novi Sad, javën tjetër, do të marrin pjesë 70 ndërmarrje nga Kosova.
Cadez thotë po ashtu se kohët e fundit ka vërejtur rritjen e eksportit të mallrave edhe nga Kosova në Serbi, marrë parasysh që Serbia dominon me prodhimet e saj në Kosovë.
“Për ne është me rëndësi që këta numra t’i balancojmë”, thekson Cadez, duke rikujtuar se një balancë i tillë tashmë është arritur me Shqipërinë.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se bilanci tregtar me Serbinë nuk është i dëshiruara, por që partneriteti duhet të avancohet.
Megjithatë, sipas tij, deklaratat se bizneset kanë barriera dhe nuk mund të jenë prezent në panairet në Serbi nuk qëndron.
“Vetë fakti që e kemi këtë bashkëpunim të mirë ekonomik mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Serbisë probleme të tilla nuk janë adresuar asnjëherë. Vlen të theksohet se në tre vitet e fundit kemi pasur mbi 3000 mijë takime ku bizneset vendore janë takuar me bizneset e rajonit në veçanti nga Serbia, vetë fakti që kemi qenë pjesëmarrës me ekipe deri ne 100 kompani në panairin e bujqësisë në Novi Sad dhe të ndërtimit në Beograd e flet demanton një deklaratë që ka barriera”, thotë Gërxhaliu.
Panairi i përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2018” do të zgjasë deri më 21 prill. /REL
COMMENTS