Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka shprehur zemërimin e tij për mos formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se përfaqësuesit e BE-së bëhen të shurdhër kur është në pyetje Prishtina.
“Çfarë lidhje ka asociacioni me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjore me Prishtinën?”, tha Daçiq, duke përkujtuar se dokumenti u nënshkrua pesë vjet më parë me ish-shefen e BE-së, Catherine Ashton dhe presidentin e tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi.“Përfaqësuesit e BE-së janë të shurdhër në aspektin e Prishtinës. Unë nuk e di nëse kjo sëmundje është e shërueshme”, tha Daçiq. Ai gjithashtu vuri në dukje se “Serbia nuk është një çekiç për të goditur”. “Mos na godisni në dinjitetin tonë”, u shpreh Daçiq duke përsëritur se Serbia zgjat dorën, por nevojiten dy persona për të vallëzuar tango.
Ai këto komente i bëri në konferencën “Perspektivat e reja për Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Qendra për punë ndërkombëtare dhe të sigurisë në Beograd. Daçiq theksoi se “Kosova është problem shekullor dhe se nuk mund të zgjidhet me një marrëveshje”. Shefi i diplomacisë serbe tha se kur pyetni komisarin evropian për Zgjerim, Johannes Hahn se çfarë duhet të jetë në këtë marrëveshje, ai thotë se nuk e di.
“Ne dëshirojmë të arrijmë marrëveshje, por nuk dëshirojmë që kjo të jetë sipas parimit gjithçka e zgjidhur. Duam të jemi aktivë. Ne kemi ofruar dorën”, ka përsëritur Daçiq, transmeton KosovaPress. Sipas tij, Bashkimi Evropian ndoshta mund të mos ekzistojë pas 20 apo 50 vjetësh, por “do të ekzistojë Serbia dhe për këtë arsye duhet bërë llogari se çfarë vendimesh merren”.
COMMENTS