DËSHMITARIT NUK I KUJTOHET VLERA E FATURËS QË I KISHTE LËSHUAR FABRIKËS “FAN”

DËSHMITARIT NUK I KUJTOHET VLERA E FATURËS QË I KISHTE LËSHUAR FABRIKËS “FAN”

Qeveria gjermane dëshiron të tërheqë në Gjermani fëmijët e IS

Procesi gjyqësor lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN”, në Podujevë ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve.

Lidhur me privatizimin e kësaj ndërmarrje, procesi gjyqësor po zhvillohet ndaj ish-nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), njëherësh ish-deputetit në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani dhe të akuzuarve të tjerë, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu Agron Kamberi, Adrian Kelmendi e Agim Deshishku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshminë e tij, e ka dhënë dëshmitari Esat Rexha, përfaqësues i kompanisë “Rexha SHPK”, e cila kishte bashkëpunuar me ndërmarrjen “FAN”.

Dëshmitari Rexha, që ka qenë menaxher i kësaj firme, është pyetur lidhur me disa fatura që ishin lëshuar për këtë ndërmarrje me rastin e furnizimit me material të armaturës dhe të ndërtimit të një depoje në vitin 2009.

Ky dëshmitar, ka deklaruar se nuk i kujtohet se në deklaratën e tij para njësisë së hetimeve tatimore, ka thënë se fatura tatimore e cila realisht është dashur t’i lëshohet biznesit “FAN” në emër të furnizimit me material, duhet të ishte rreth 42.000 euro, e jo vlera e faturës që është lëshuar më 1 qershor 2009, në shumë prej 326.750 euro.

I pyetur nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, nëse i kujtohet kontrata e lidhur më 18 maj 2009, me fabrikën “FAN”, dëshmitari është përgjigjur duke thënë se nuk i din datat.

Sa i përket përmbajtjes së kontratës, ai deklaroi se kanë pasur për të furnizuar me material armature këtë fabrikë dhe kanë pasur të ndërtojnë një depo, ku në fillim kanë pasur edhe për të bërë ndërtimin, mirëpo sipas tij, më pas ka siguruar firma vetëm materialin, pasi vëllai i të pandehurit Agim Deshishku, kishte insistuar që ta ndërtojë vet atë depo.

“Kontrata nuk është realizuar ashtu si është nënshkruar, por është realizuar sa i përket çështjes së materialit, ndërsa çështja e punës nuk është bërë nga ana e firmës tonë”, deklaroi dëshmitari.

Prokurorja e ka pyetur atë se në momentin që kanë kuptuar që ndërtimi nuk do t’i mundësohet firmës “Rexha” sh.p.k., cila ka qenë arsyeja që të mbetej në fuqi kontrata, dhe të mos ndryshohet në raport me gjendjen faktike që e kanë pasur me fabrikën “FAN”, meqenëse dëshmitari deklaroi se kontrata ka qenë për furnizim dhe ndërtim.

“Unë nuk e kam ditur që duhet t’ia ndryshoj këtë kusht kontratës, ashtu si e kemi nënshkruar e kemi lënë”, ishte përgjigja e dëshmitarit.

Vlera e faturës, ai deklaroi se nuk i kujtohet për shkak se firma ka pasur një numër të madh të faturave dhe kontabilitetin sipas tij, kompania e mban në një vend për të gjitha firmat me të cilat ka bashkëpunim.

“Na e kemi dërguar materialin, mirëpo ku e ka dërguar në këtë objekt apo objekte të tjera, nuk e dimë dhe nuk marrim përgjegjësi”, vazhdoi dëshmitari.

Vlera e materialit të dorëzuar, ai tha se nuk i kujtohet dhe pasi u ballafaqua me deklaratën në polici, ku kishte thënë se vlera e betonit kishte qenë 32.800 euro, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet.

“Vlera e materialit ndërtimor sipas deklaratës suaj në polici është diku afër 100.000 euro, me të gjitha veprimet që i keni bërë, mirëpo fatura që është faturuar kalon 300.000 euro”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti.

“Nuk është qashtu. Na tërë kohën kemi bo material, kemi dërgu te këta, nashta aty kam thënë çka m’ka ra me mend”, deklaroi dëshmitari.

Sa i përket kësaj fature konkrete të shumës prej 326.750 euro, dëshmitari deklaroi se ka pasur njohuri për regjistrimin e së njëjtës.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)