Në Kosovë ende përdoret ‘lesoniti’ kancerogjen [Video]

Në Kosovë ende përdoret ‘lesoniti’ kancerogjen [Video]

Në Kamenicë e Ferizaj, qytetarët veshin pemët me xhaketa për njerëzit në nevojë

Shpend Selimaj e di se mbulesat e çative që në popull njihen si ‘lesonit’ kanë material që shkakton kancerin. Ndonëse është në dijeni për këtë, në oborrin e tij në Prishtinë Selimaj dy objekte që janë mbuluar me lesonit.

Se ky material, që përmban azbest, është kancerogjen e ka thënë edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Por, Selimaj, i cili me këtë material e ka mbuluar garazhin dhe një objekt ndihmës, thotë se ka menduar qysh moti ta heq ato nga kulmet por që duhet marr leja e komunës dhe se duhet procedura të gjata për ta marr lejen.

“Jemi në dijeni që është kancerogjen, e dimë që është përmbajta e azbestit e cila e bën këtë material kancerogjen, po te ne në Kosovë janë disa probleme të cilat po na pengojnë me i evitu këto. Pata bërë pyetje çka duhet për me ndërru kulmin e një garazhë, më kanë thënë që duhet me ba kërkesë për renovim, kërkesë e cila merr kohë me u aprovu ose jo, ka ngecje. Ky fakt na shqetëson dhe na detyron me punu në mënyrë jolegale. Por, në të ardhmen mendojmë me i ndërru mbulojën e shupës e cila është në plan me u renovu komplet dhe garazhës”, tha Selimaj për KosovaPress.

Në Kosovë nuk ka statistika se sa shtëpi janë të mbuluar me këtë material që përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve por Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë ka ende shumë çati të shtëpive, garazheve e anekseve tjera të mbuluara me lesonit, që sipas tij t përdorimi i tyre është praktikuar në masë të madhe për arsye që ka pasur një kosto të lirë për ndërtim.

Jasharit bëri të ditur se Gjykata Evropiane ka marrë vendim që përdorimi i materialit lesonit shkakton kancer në organin e frymëmarrjes, ku shumë shtete evropiane kanë marrë masa që para 20 vjetëve për ndalimin e atij materiali.

Madje, ai ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar për rrezikshmërinë që ka paraqitur në shëndetin e tyre.

“Nga shumë vende evropiane, mirëpo edhe mbi bazën e vendimit të Gjykatës Evropiane ky material tashmë është i ditur që është kancerogjen dhe shkakton kancer në organin e frymëmarrjes dhe shumë shtete kanë marrë masa preventive më tepër se 20 vite tanimë, ka programe të veçanta për largimin e këtij materiali nga përdorimi i gjerë. Mirëpo është e çuditshme që në Kosovë vazhdon ende të jetë ai i pranishëm në mënyrë masive, por mbi të gjitha kemi vlerësuar se qytetarët që nuk kanë informata adekuate mbi rrezikshmërinë që paraqet ky material në nivel vendi”, tha Jashari.

Avokati i Popullit ka thënë se ende nuk kanë bërë hulumtime të asaj natyre se sa mund të jetë ndikimi i qytetarëve për largimin e përdorimit të lesonitit.

Madje, ai thotë se materiali duhet të largohet dhe të futet së paku 10 metra thellësi nën tokë dhe të kenë mbështjellës adekuat me standarde për ndalimin e efektit kancerogjen ndaj njerëzve.

“Nuk ka hulumtime të natyrës së përafërt të e cila mundet me sqaru se çfarë mund të jetë ndikimi se sa mund të jenë në dijeni qytetarët dhe cilat janë masat e evitimit gjatë përdorimit të këtij materiali ose largimit të tij dhe kjo na ka brengosur shumë se bëhet fjalë për një material kancerogjen dhe kjo na ka detyruar ta nisemi këtë hetim. Mirëpo është evidente që në çdo kënd të Kosovës, thuajse mund të shihen këto materiale që përdorën për mbulimin e pullazeve ose të anekseve të shtëpive ose garazheve… Praktikë e vendeve të tjera thonë se këto materiale duhen të largohen me një procedurë të veçantë me mbrojtje adekuate të punonjësve që vijnë në kontakt me këtë material dhe mbi gjitha duhet të vendosen në vende minimumi 10 metra thellësi të mbuluara nga dheu, të mbyllura me mbështjellës adekuat të standardit të caktuar dhe për të shënuara me sistemin GPS për të evidentu si vend i kontaminuar”, tha Jashari.

Ai bëri të ditur se ka informata që shumë sisteme të ujësjellësit nëpër disa regjione të Kosovës, ende kanë sisteme të ujësjellësit nën këtë material i cili është në përdorim.

Por pavarësisht kësaj në Kosovë ka ende qytetarë që nuk janë në dijeni se lesoniti ka paraqitur kancer në shëndetin e disa prej atyre që kanë pasur kontakt të afërt dhe shprehen të habitur se si ka qenë e mundur që deri në ditët e sotme, të mos informohen nga institucionet përkatëse që janë të rrezikuar nga lesoniti.

Remzi Gashi nga Prishtina nuk ishte në dijeni se ky material është kancerogjen, i cili thotë për KosovaPres se kurrë nuk kishte dëgjuar që mund të vjen kanceri prej tij.

“Jo s’kemi dëgjuar kurrë… Ta kishim ditë , kurrë nuk i kishim vendosë nëpër shtëpia, as nuk i kishim mbulu, as nuk i kishim afru afër tyre”, tha Gashi.

Në lidhje me procedurat që qytetari Shpend Selimaj ka prezantuar në rast se duan ta heqin atë, Drejtoria e Urbanizmit e sqaron këtë situatë.

Krenare Shkodra nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë sqaron edhe për procedurat në rast se dikush dëshiron ta heq atë material nga kulmet por që thotë se ata si Drejtori nuk kanë kompetenca t’i heqin ato, qoftë në objekte private apo publike.

“Pronarët e pronave private nuk kanë nevojë të marrin leje apo të aplikojnë për leje në komunë për heqjen e këtij materiali, por paraprakisht duhet ta njoftojnë drejtorinë e inspeksionit që të munden ata që të shohin se gjatë punimeve nuk do të ndërmarrën punime tjera që nuk përkojnë me atë që kërkohet”, tha Shkodra për KosovaPress.

Ajo jep këshilla për qytetarët në rast se duan ta heqin këtë material nga kulmet e shtëpive apo objekteve të ndryshme.

“Megjithatë gjatë ndërrimit të këtyre tjegullave që përmbajnë azbest qytetarët duhet të kenë kujdes për shkak të rrezikshmërisë që përmbajnë fibrat e azbestit, t’i përmbahen në tërësi udhëzimit administrativ për menaxhimin e mbeturinave’, tha Shkodra.

Sipas saj ata duhet të tregojnë lokacionin ku e dërgojnë atë material, t’i pajisin punëtorët me maska, të kujdesen që materiali që transportojnë nuk thyhet dhe disa rregulla tjera.

Megjithatë Shkodra thotë se Drejtoria e Urbanizimit nuk është kompetente që të bëjë çfarëdo ndërhyrje në ndërtesat qoftë publike apo private për largimin e këtyre tjegullave sepse nuk ka kompetencë.

Por ajo bëri të ditur se kohët e fundit nuk është duke u përdorur ky lloj materiali pasi që siq tha edhe qytetarët e kanë kuptuar për dëmin që shkaktojnë tjegullat që kanë përmbajte të azbestit.

Zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit bëri të ditur se nuk kanë statistika për numrin e objekteve në Prishtinë që janë të mbuluara me materialin që përmban azbest e që thuhet se është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)