Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi mbetet kusht që duhet plotësuar sa më parë në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja pa viza në Zonën Shengen.
Kështu ka deklaruar dje gjatë vizitës së saj në Kosovë sekretarja e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Helga Schmid, pas takimit që ka zhvilluar me krerët e shtetit të Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.
Schmid u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që sa më parë t’i kryejnë obligimet që kanë marrë përsipër, duke përfshirë edhe reformat e nevojshme, në mënyrë që vendi të ecë drejt Bashkimit Evropian.
“Kosova është Evropë dhe e ardhmja e Kosovës është me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ajo.
Takimin e parë Shmid e ka zhvilluar me presidentin e vendit Hashim Thaçin, me të cilën bisedoi për të arriturat e fundit të Kosovës, për reformat e vazhdueshme në Kosovë dhe konfirmimin e perspektivës evropiane të Kosovës, shkruan Zeri.
“Zgjedhjet e suksesshme komunale dhe betimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve nga komunitetet joshumicë janë hapat më të fundit të mëdhenj të Kosovës. Po i vazhdojmë me sukses reformat në politikë, në sundim të ligjit e në ekonomi, që sa më shpejt të lëvizim me hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian”, potencoi Thaçi.
Duke folur për raportet e Kosovës me vendet e rajonit presidenti u shpreh se vendi ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë dhe shtoi se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimin në mes dy shteteve.
“Dialogu duhet të kthehet në proces për pajtim, miqësi dhe bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor në mes të Kosovës dhe Serbisë”, vijoi ai.
Menjëherë pas këtij takimi Shmid u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan Zeri.
Zyrtarja e lartë evropiane, Helga Shmid, pas këtij takimi ka thënë se Demarkacioni është çështje kyçe për liberalizimin e vizave, por që duhet vazhduar edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ne e dimë po ashtu se sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për njerëzit e Kosovës. Është esenciale që autoritetet t’i përmbushin kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për të ecur përpara me Marrëveshjen për Demarkacionin. Kjo është çështja kyçe. Natyrisht edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdohet. Duhet treguar se jeni të gatshëm për t’i dhënë zgjidhje edhe përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, që i hap dyert për investime të ardhshme dhe zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës”, ka thënë Schmid.
Schmid ka thënë gjithashtu se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, ndërkohë që institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë avancimet e duhura sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit për të qenë sa më afër BE-së.
Shmid gjithashtu ka përmendur edhe zbatimin e MSA-së, që ka thënë se ka një rol kyç në agjendën e reformave evropiane, në forcimin e rendit dhe ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zhvillimin ekonomik e të tjera.
Zyrtarja e lartë evropiane ka përgëzuar Kosovën edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Drejtësisë mes Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur këtë një hap shumë të rëndësishëm drejt funksionalizimit të sistemit gjyqësor.
Ajo foli dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbinë, për të cilin tha se përfaqësuesja e lartë evropiane, Frederica Mogherini, është plotësisht e zotuar për vazhdimin e dialogut të ri dhe suksesin e tij. Ndërsa shtoi se dialogu është çelës për avancimin e Kosovës dhe Serbisë, si dhe kontribuon në stabilitetin në regjion.
E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Shmid ka thënë se dinamika e Kosovës me BE-në po intensifikohet.
“Takomi i sotëm vërteton rëndësinë e kësaj dinamike, forcim të rendit dhe ligjit, luftë kundër korrupsionit e të krimit në vend”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë gjithashtu se Shmid e konfirmoi atë se Kosova është e vendosur në perspektivën e saj evropiane dhe se BE-ja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën drejt rrugës së saj. Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u takua me sekretaren e përgjithshme të Shërbimit Evropian, Helga Schmid.
Në këtë takim është biseduar për reformat e shumta që po bëhen në vend në shumë sektorë e të cilat përshpejtojnë rrugën e Kosovës në integrimin evropian.
Nga ana e saj sekretarja Helga Schmid vlerësoi punën e Kuvendit në miratimin e shumë reformave legjislative.
Shmid gjatë ditës se djeshme u takua edhe me përfaqësuesit e partive politike opozitare, të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /ZERI/.
COMMENTS