Kush janë anëtarët e KLD-së që votuan kundër shkarkimit të 3 gjyqtarëve

Kush janë anëtarët e KLD-së që votuan kundër shkarkimit të 3 gjyqtarëve

Psikiatrisë i mungon ilaçi kryesor, s’ka as shtretër të mjaftueshëm

Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka një grup anëtarësh, të cilët bashkojnë votat sistematikisht, për të mbrojtur gjyqtarët, për të cilët Ministria e Drejtësisë kërkon shkarkimin e tyre, për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës, për cenimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe diskreditimin e figurës së gjyqtarit.
Justifikimet, argumentet, referencat dhe alibitë e këtyre anëtarëve të KLD janë të ndryshme, por ato kanë një qëllim: Mbrojtjen me çdo kusht të gjyqtarëve. Nëse sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në çdo pesë gjyqtarë katër nuk e kalojnë Vetingun, KLD, në mbledhjen e ditës së hënë, nga katër gjyqtarë nuk shkaktoi asnjë. Alibia e shumicës në KLD është se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të reja për pushtetin gjyqësor, KLD nuk ka më tagër ligjor për të shkarkuar gjyqtarët.

Por, KLD ka votuar pro masave disiplinore më të buta ndaj gjyqtarëve, si paralajmërim për shkarkim nga detyra, por jo shkarkim nga detyra. Nga ana tjetër, KLD i ka mbrojtur gjyqtarët e akuzuar për shkelje të rënda në detyrë edhe para se të miratohej reforma në drejtësi, kur ky institucion kishte për detyrë ndëshkimin e gjyqtarëve abuzues, fakt ky që nxjerrë zbuluar KLD si një organ që mbron drejtësinë e kalbur deri në ditën e fundit.

Grupi i anëtarëve

Këshilli i Lartë të Drejtësisë, në mbledhjen e 24 janarit 2018, ka rrëzuar edhe disa kërkesa të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për shkarkimin dhe ndëshkimin e 13 gjyqtarëve, me pretendimin se kanë konsumuar shkelje të rënda në detyrë. Përpos të tjerëve, ministrja Gjonaj i kërkoi KLD që të shkarkonte nga detyra gjyqtarit e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Astrit Shema, për shkelje shumë të rëndë të disiplinës në punë, shkelje e përsëritur, duke sjellë pasoja për palët në gjykim dhe sjellje të tjera të rënda që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.

Kundër shkarkimit të gjyqtarit ka votuar anëtari Gerd Hoxha, i cili është edhe kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve. Kundër shkarkimit të gjyqtarit ka votuar Gjin Gjoni, i cili është edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Për vetë Gjin Gjonin, Ministria e Drejtësisë pati kërkuar të shkarkohej nga detyra, me akuzën se ka fshehur pasurinë si dhe ka bërë deklarime të rreme të pasurisë, por Gjin Gjonin e shpëtuan kolegët e tij në KLD, që asokohe drejtohej nga Bujar Nishani.

Kundër shkarkimit të gjyqtarit kanë votuar edhe anëtarët e tjerë Ridvan Hado, Neritan Cena, Petrit Çomo, Brunilda Kadi dhe Eneida Civici. I njëjti grup, me përjashtim të anëtares Eneida Civici, kanë votuar kundër shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Tomorr Kullolli. Duke qenë shumica, këta anëtarë kanë mundësuar që gjyqtarët t’i shpëtojnë shkarkimit.

Meta dhe Gjonaj votë ndryshe

Sipas procesverbalit të votimit, Presidenti i Republikës, njëherësh kreu i KLD, Ilir Meta ka votuar pro shkarkimit, sikundër deklaroi edhe Presidenca dje në një njoftim për shtyp. Pro shkarkimit natyrshëm ka votuar edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, si anëtare e KLD. Zonja Gjonaj ka theksuar se KLD ka të drejtë të shkarkojnë gjyqtarët, përderisa ende nuk është ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor, organi që do të zëvendësojë KLD.

“E para njëherë, për sa i përket të drejtës nëse ka ministri i Drejtësisë për t’i sjellë këtu kërkesat, propozimet për masat konkrete për gjyqtarët për të cilët është filluar procedimi disiplinor nga Inspektorati, patjetër që po. E jep dispozita tranzitore e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, e jep dhe Kushtetuta. Gjithashtu edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kur i ka dhënë kompetencën Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vazhdimësinë e institucioneve gjatë periudhës së këtij vakumi të institucioneve të reja, kjo nënkupton edhe rolin dhe kompetencën e ministrit të Drejtësisë. Kjo është e përgjithshme”, ka theksuar Gjonaj.

Më parë, kur në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte Bujar Nishani, pro shkarkimit të gjyqtarëve votonin sistematikisht ish-anëtarët Sokol Çomo dhe Albana Shtylla.

/Shqiptarja.com/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)