Thaçi thotë se ka ardhur koha për një marrëveshje historike me Serbinë

Thaçi thotë se ka ardhur koha për një marrëveshje historike me Serbinë

PDK-ja në Lipjan nënshkruan koalicion me PDAK-në dhe Partinë Liberale

“Kam obligim kushtetues ta përfaqësoj Kosovën dhe t’i prij dialogut deri në fund”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media para takimit të së dielës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqiq.

Ai ka thënë se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje historike me shtetin serb.

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e fazës finale me një marrëveshje të detyrueshme ligjore për të dyja palët. Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve që në një mënyrë apo tjetrën që të nënshkruhet një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes së cilës do të përfundonte raporti i dhimbshëm mbi 100 vjeçar. Kosova nuk duhet t’i frikësohet dialogut e as epilogut të tij. Si shoqëri kemi pasur dijen, organizimin e duhur që përmes negociatave dhe rrugës së drejtë për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përsëritur thirrjen për formimin e ekipit gjithëpërfshirës, çka sipas tij do ta bënte procesin më kredibël dhe transparent. Në rast se arrihet marrëveshja ligjërisht obligative, sipas presidentit Thaçi, palët e përfshira do të përfitojnë perspektivën evropiane.

“E di që na presin bisedime të vështira. Arritja e marrëveshje gjithëpërfshirëse është e domosdoshme në mënyrë që ne si shtet të bëhemi pjesë e OKB-së, dhe në NATO. Kosova si gjithmonë edhe në fazën finale do ta ketë mbështetjen e SHBA-së, që është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, gjithashtu edhe shtetet evropiane janë të interesuara për normalizimin e marrëdhënieve. Duhet të tregojmë përgjegjësi më të lartë, por edhe marrjen e kredive. Vetëm zëri dhe fryma evropiane e çon Kosovën përpara, drejt perspektivës euroatlantike. Nevoja e arritjes së marrëveshjes i tejkalon afatet tona politike, por edhe ato të partive politike. Kjo çështje na takon të gjithëve, është interes i të gjithëve, dhe i qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Thaçi në një konferencë me përfaqësuesit e mediave, raporton Koha.net.

Ai theksoi se është e domosdoshme që të krijohet një ekip sa më gjithëpërfshirëse, të përbërë nga presidenti, kryeministri e kryekuvendari, ekspertë të çështjes, përfaqësues të partive opozitare etj. Kjo do ta bënte shumë më kredibël në rast të arritjes përfundimtare të marrëveshjes me Serbinë.

“Jam i gatshëm të marr parasysh të gjithë propozimet që do të bëhen gjatë takimeve. Jam i sigurt se Kosova do të përfaqësohet në mënyrë të denjë, dhe do të dalë me sukses nga ky proces. Dhe do të përfitojmë perspektivën evropiane. Ky proces nuk do të prodhojë humbës, ky proces do të jetë transparent. Thirrja ime që në delegacionin e Kosovës të përfshihen të gjithë akterët është thirrje institucionale, dhe sa kjo do të ndodhë mbetet të shihet. Po ashtu edhe marrëveshja përfundimtare do të kalojë përmes institucioneve të vendit, në Kuvend, që do të vendosin po ose jo për ratifikimin e tij”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se, “mirëpres të gjitha takimet e liderëve politikë. Kosova është me institucione kredibile, që kanë dalë nga votat e qytetarëve. Për interesa madhore pavarësisht pozicioneve, a je qeveri apo jo, vlerësoj lartë se ka shumë hapësirë për të punuar bashkërisht. Shpresoj që të diskutoj me të gjithë, pasi deri tani kam biseduar me krerët e institucioneve”.

Sipas tij beteja me Serbinë nuk zhvillohet duke bojkotuar negociatat, por me argumente, e ato thotë se “i kemi në anën tonë”.

“Besojmë se Kosova do të jetë pjesë e OKB-së, do të ketë njohje reciproke Kosovë-Serbi, kemi rrugë të sigurt euroatlantike dhe do të bëhemi pjesë të NATO-s. Kemi filluar konsultat me shoqërinë civile, me mediat dhe me të gjithë personat vullnetmirë. Ju e dini se çfarë situate kemi kaluar me Malin e Zi, 3 vjet pritje, e me Serbinë kemi rreth 400 kilometra vijë kufitare, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për këto çështje. Kufiri Kosovë – Serbin tejkalon çdo interes të ndonjë individi, organizate, partie politike ose mediumi. Do të formohet grupi strategjik që do të japin mendimet e tyre, shefat e grupeve parlamentare dhe do të ketë përfshirje të madhe. Nuk kemi kohë për të humbur. Pala që refuzon dialogun dhe refuzon standardet evropiane, dhe do të jetë pala stagnuese dhe të ngrirjes së rrugëtimit evropian”, ka thënë ai.

“Çështja e kufirit do të jetë në tavolinën e bisedimeve”. Kështu ka deklaruar presidenti Thaçi, i pyetur për mundësinë e rishikimit të kufijve. Ai ka thënë se Kosova me Serbinë nuk ka pasur kufi në të kaluarën, dhe ka rreth 400 kilometra vijë kufitare. Sipas Thaçit, është e vështirë të merren vesh me Serbinë për kufirin.

“Për këtë çështje do të kërkohet ndihmë nga ekspertë, përfshirë NATO-n. Nuk do të lejojmë të cenohet asnjë milimetër i territorit të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)