Gjermania në mënyrë befasuese “dorëzoi armët” përballë Meksikës, Argjentina u bllokua nga Islanda dhe Brazili nuk imponoi frikën e një pretendenti përballë Zvicrës. Të gjithë tashmë kanë përgatitur “ceremoninë mortore” për tre gjigantët e futbollit botëror, a thua se gjithçka përfundoi dhe valixhet janë nisur për në aeroport. Është e vërtetë që humbja në sfidën hapëse është një goditje e rëndë psikologjike dhe në shumë raste e parikuperueshme, por në botëror ka disa shembuj të pamohueshëm kur skuadrat kanë startuar me një hap të gabuar, por më pas kanë zhvilluar një rrugëtim për t’u admiruar që në dy raste është mbyllur me triumf.
Italia në vitin 1982 e nisi turneun në Spanjë me një barazim befasues ndaj Kamerunit. Kombëtarja e kaltër u shigjetua nga të gjithë si një ekip pa forcë, madje pati edhe krisje mes trajnerit dhe një lojtari me peshë si Giorgio Cinaglia. Përfundimi i atij botërori?! Paolo Rossi dhe Italia ia dolën të thyenin kundërshtarë të kalibrit të lartë dhe fituan për të 3-ën herë në histori Kupën e Botës.
Për të mos u larguar nga viti 1982, Gjermania i tronditi të gjithë kur në mënyrë të pabesueshme u dorëzua në ndeshjen hapëse ndaj Algjerisë. “Pancerat” me lojtarë si Rummenigge, Breitner, Schumacher e Litbarski e Brigel arritën të ringriheshin dhe ia dolën të shkonin deri në finalen e madhe aty ku u mposhtën ndaj Italisë.
8 vite më vonë Argjentina kampione e botës në fuqi debutoi në Botërorin e Italisë kundër Kamerunit. “Albicelestët” vinin me petkun e favoritit, por afrikanët i shtangën duke fituar 1-0 me gol të realizuar nga Omam-Bijik. Situata u duk e ndërlikuar për Maradonën me shokë, por “El Pibe de Oro” së bashku me Goigocchean, Burruchagën e Sensinin shkuan deri në sfidën përmbyllëse të kompeticionit, aty ku u rrëzuan vetëm nga 11-metërshi i Andi Brehmes.
Rikthehemi tek Italia. Në vitin 1994 Kupa e Botës luhej në SHBA. Të kaltrit me Roberto Baggion, Baresin e Maldinin nuk përballuan dot Irlandën. Takimi i parë i kompeticionin për italianët përfundoi më nje disfatë 1-0. Gjithçka më pas ndryshoi, Roby Baggio e mori përdore ekipin deri në finale, penalltitë i mohuan trofeun skaadrës që asokohe drejtohej nga Arrigo Sacchi, me trofeun që i shkoi Brazilit.
Rasti i radhës është ndoshta më i prekshëm për brezin e ri. Në Botërorin e 2010-ës, Spanja kampione e Europës e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme turneun që u mbjat në Afrikën e Jugut, duke u mposhtur 1-0 përballë Zvicrës. Iberikët dhuronin një futboll spektakolar, megjithatë dyshimet nisën të shfaqeshin, vijimësia e kompeticionit është një histori e njohur. Iniesta dërgoi në qiellin e shtatë e “La Rojan”.
COMMENTS