Clinton rrëfen për herë të parë prapaskenat e bombardimeve dhe dorëzimin e Millosheviqit

Clinton rrëfen për herë të parë prapaskenat e bombardimeve dhe dorëzimin e Millosheviqit

57,5 Vjet Burg për Vrasjen në ‘Albi Mall’

Më 24 mars 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë. Sulmet zgjatën 78 ditë, duke rezultuar me çlirimin e Kosovë.

Janë bërë 18 vite nga këto bombardime, andaj KultPlus ju sjell një pjesë nga kujtimet e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, ku ai flet mbi luftën në Kosovë.

Nga kujtimet e ish-Presidentit amerikan, të përmbledhura me titullin “Jeta Ime”, ai flet edhe mbi luftën në Kosovë.

Clinton rrëfen për herë të parë për publikun atmosferën, prapaskenat dhe hapat diplomatike, politike dhe ushtarake që çuan në fillimin e bombardimeve mbi ish-Jugosllavinë, më 24 mars 1999. Problemet e 11 javëve të luftës ajrore, dorëzimi i Millosheviqit dhe përgatitja e hyrjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë

Kur erdhi koha për t’u kthyer, ne ishim duke hyrë në një luftë tjetër ballkanike.
Këtë herë në Kosovë. Një vit më parë serbët kishin filluar një sulm kundër rebelëve shqiptarë kosovarë duke vrarë shumë njerëz të pafajshëm; kishte fëmijë dhe gra që i kishin djegur në shtëpitë e tyre.

Raundi i fundit i agresionit serb kishte ndezur shkëndijën e një eksodi të ri refugjatësh dhe kishte shtuar dëshirën e shqiptarëve kosovarë për pavarësi. Vrasjet ishin shumë të ngjashme me ditët e para të luftës në Bosnjë, e cila ashtu si edhe Kosova ishte urë lidhëse e ndarjes që ekzistonte mes myslimanëve evropianë dhe të krishterëve serbë ortodoksë, një vijë ndarëse përgjatë së cilës kishte pasur konflikte të herëpashershme prej gjashtëqind vjetësh.

Në vitin 1974 Tito i kishte dhënë autonomi Kosovës, duke i lejuar vetëqeverisje dhe kontroll mbi shkollat. Në 1989-ën Millosheviqi i hoqi Kosovës të drejtën e autonomisë. Që prej kësaj kohe, tensioni kishte ardhur në rritje derisa shpërtheu më pas në 1995-ën kur Bosnja arriti pavarësinë.

Unë isha i vendosur për të mos lejuar që Kosova të bëhej një Bosnjë e dytë. Po kaq e vendosur ishte edhe Medlin. Në prill 1998 Kombet e Bashkuara kishin detyruar mbi serbët një embargo armësh.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kishin vendosur mbi ta një embargo ekonomike, pasi kishin dështuar t’i jepnin fund armiqësisë dhe nuk hynin në dialog me shqiptarët kosovarë. Nga mesi i qershorit, për të bërë të mundur ndalimin e dhunës, NATO-ja kishte filluar të planifikonte një numër mundësish për ndërhyrje ushtarake.
Teksa afrohej vera, Dik Hollbruk (Dick Holbrooke) ishte kthyer në rajon për t’u përpjekur të gjente një zgjidhje diplomatike për këtë konflikt. Nga mesi i korrikut forcat serbe sulmonin sërish kosovare të armatosur dhe të paarmatosur, duke filluar kështu një verë sulmesh që do të detyronte 300,000 të tjerë shqiptare kosovare që të linin shtëpitë e tyre.

Vonë, në shtator Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara aprovoi një rezolute tjetër, e cila kërkonte fundin e konfliktit dhe në fund të muajit në dërguam edhe një herë Hollbruk-un (Holbrooke) në Beograd që të përpiqej të gjente gjuhën e arsyes me Millosheviqin.

Në 13 tetor NATO-ja kishte kërcënuar të sulmonte Serbinë brenda katër ditëve në rast se nuk respektoheshin rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Sulmet ajrore u shtynë kur u pa se 4 mijë oficerë të forcave speciale jugosllave ishin duke u tërhequr nga Kosova. Për pak kohë gjërat u përmirësuan por në janar 1999 serbët filluan të vrisnin sërish kosovarë të pafajshëm dhe kështu sulmet ajrore dukeshin të pashmangshme. Ne vendosëm të provonim diplomacinë edhe njëherë, por nuk kishim shumë optimizëm. Objektivat e palëve ishin shumë larg njëra-tjetrës.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja donin që Kosova të gëzonte autonominë politike që kishte pasur nën Kushtetutën Jugosllave ndërmjet viteve 1974 dhe 1989 derisa ua hoqi Millosheviqi si dhe dëshironim një forcë paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja që të garantonte paqen dhe sigurinë e civilëve kosovarë duke përfshirë këtu edhe minoritetin serb.

Millosheviqi dëshironte ta mbante Kosovën nën kontroll dhe ishte kundër vendosjes atje të trupave të huaja ushtarake. Shqiptarët kosovarë kërkonin pavarësi. Por ata ishin të ndarë edhe mes tyre.

Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë hije ishte një burrë i butë, i dalluar për mbajtjen gjithmonë të një shalli rreth qafës. Unë isha i bindur që me të mund të arrinim një marrëveshje paqeje, por nuk isha aq i sigurt për faktorin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare Kosovare (UÇK) të drejtuar nga një i ri i quajtur Hashim Thaçi. UÇK-ja kërkonte pavarësi dhe besonte se mund të ndeshej dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë serbe.

Palët u takuan në Rambuje (Rambouillet) në Francë, më 6 shkurt (1999) për të rënë dakord mbi hollësitë e një marrëveshjeje, e cila do të rikthente autonominë, do të mbronte kosovarët nga shtypja me anë të një operacioni të drejtuar nga NATO-ja, do të çarmatoste UÇK-në dhe do të lejonte ushtrinë serbe të vazhdonte të ruante kufirin.
Madeleine Albright dhe homologu i saj britanik, Robin Kuk (Robin Cook) ngulën këmbë agresivisht në favor të kësaj politike. Pas një jave bisedimesh të koordinuara nga ambasadori amerikan Kris Hill, (Chris Hill) dhe homologët e tij nga Bashkimi Evropian dhe Rusia, Medlin (Madeleine) dhe unë zbuluam se qëndrimi ynë kundërshtohej nga të dyja palët: serbet nuk donin të binin dakord për vendosjen në Kosovë të një force paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja dhe kosovarët nuk donin të binin dakord për të pranuar autonominë në rast se nuk merrnin garanci për mbajtjen e një referendumi ku do të vendosnin për pavarësinë.

Dhe UÇK-ja nuk ishte e kënaqur që do t’i duhej të çarmatosej, pjesërisht për arsye se ata nuk ishin të sigurt se mund të mbështeteshin në forcat e NATO-s për t’u siguruar mbrojtje. Grupi ynë vendosi ta shkruante marrëveshjen në një formë të tillë që ta vononte mbajtjen e referendumit por të mos e mohonte atë përfundimisht.
Në 23 shkurt, shqiptarët kosovarë, përfshi këtu edhe Thaçin, e pranuan marrëveshjen në parim, u kthyen në shtëpi për t’ua shitur atë njerëzve të tyre dhe në mes të marsit udhëtuan për në Paris për të firmosur dokumentin e përfunduar.
Serbët e bojkotuan ceremoninë ndërkohë që 40 mijë trupa serbe ishin grumbulluar përreth Kosovës dhe Millosheviqi përsëriti se ai nuk do te lejonte kurrë vendosjen e trupave të huaja në tokën jugosllave. Unë e dërgova Dik Hollbruk-un (Dick Holbrooke) për ta takuar atë për herë të fundit, por edhe Dik-u nuk mundi ta lëvizte nga vendi.
Në 23 mars, pasi Hollbruk-u largohet nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, me mbështetjen time të plote, i kërkoi Gjeneralit Uesli Klark të fillonte sulmet ajrore.

Në të njëjtën ditë, me shumicë votash 58- 41 Senati votoi për të mbështetur këtë veprim. Në fillim të muajit Dhoma e Përfaqësuesve kishte votuar 219 me 191 për të mbështetur dërgimin e trupave amerikane në Kosovë në rast se nënshkruhej marrëveshja e paqes. Mes Republikaneve të njohur që votuan në favor të këtij propozimi ishin edhe Dennis Hastert dhe Henri Hajd (Henry Hyde).

Kur kongresmeni Hajd (Hyde) tha se Amerika duhet të ngrihet kundër Millosheviçit dhe spastrimeve etnike unë buzëqesha dhe thashë me vete “ndoshta doktor Xhekell (Jekyll) në fund të fundit ishte diku brenda tij” (Shënim i përkthyesit: Dr. Jakyll është një personazh letrar dhe këtu nënkupton anën pozitive të një personi.)

Ndërsa shumica e Kongresit dhe të gjithë aleatët tanë në NATO mbështesnin sulmet ajrore, Rusia nuk ishte në të njëjtën linjë. Kryeministri Yevgeni Primakov ishte duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me Al Gore.

Kur Al e njoftoi se një sulm mbi Jugosllavinë ishte i mundshëm, Primakov urdhëroi që aeroplani i tij të kthehej mbrapsht drejt Moskës. Në datën 24 (mars 1999) unë iu drejtova popullit amerikan për t’i treguar se çfarë isha duke bërë dhe arsyet pse po ndërmerrja një akt të tillë.

U shpjegova atyre se Millosheviqi u kishte zhvatur kosovarëve autonominë, duke u mohuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre, dhe për t’u vetëqeverisur.

Unë iu përshkrova atyre masakrat serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, 60 mijë vetëm në pesë javët e fundit dhe gjithsej një çerek milioni. Më në fund unë kisha mundësi t’i vendosja ngjarjet aktuale në kontekstin e luftërave që Millosheviqi kishte shpallur kundër Bosnjës dhe Kroacisë dhe në ndikimin shkatërrues të vrasjeve të tij mbi të ardhmen e Evropës.
Fushata e bombardimeve kishte tre qëllime: t’i tregonte Millosheviqit se ne e kishim seriozisht se do të ndalonim një radhë tjetër të spastrimit etnik, se do të shmangnim një sulm akoma më të përgjakshëm kundër civilëve të pafajshëm në Kosove dhe se nëse Millosheviqi nuk do të dorëzohej se shpejti ne do të dëmtonim seriozisht kapacitetin ushtarak të Serbisë.

Atë natë filluan sulmet ajrore. Ato do të zgjasnin për 11 javë, ndërkohë që Millosheviqi vazhdonte të vriste shqiptarët e Kosovës dhe të dëbonte rreth një milion shqiptarë prej shtëpive të tyre.

Bombat do të shkaktonin dëme të mëdha mbi infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë. Fatkeqësisht në disa raste ato do t’u shmangeshin koordinatave të përcaktuara dhe do të merrnin jetën e njerëzve që ne po përpiqeshim të mbronim. Disa njerëz arsyetonin se qëndrimi ynë do të kishte qenë më i justifikuar nëse do të kishim dërguar edhe trupa ushtarake nga toka.

Por me këtë argument kishte dy probleme. Së pari, derisa ushtarët të arrinin në pozicionet e tyre, të mjaftueshëm në numër dhe me mbështetjen e duhur, serbët do të shkaktonin një dem shumë të madh. Së dyti, viktimat civile të një fushate ushtarake në tokë do të kishin qenë shumë herë më të mëdha sesa numri i viktimave si rezultat i bombave të pasakta.

Unë nuk u bashkova dot me argumentin se duhej të ndiqja një kurs i cili do të merrte më shumë jetë amerikanësh, pa siguruar shumë bindshëm mundësinë e një fitoreje. Strategjia jone shpesh do të dyshohej, por ajo kurrë nuk u braktis. Në fund të muajit, kur bursa u mbyll për të parën herë në historinë e saj me mbi 10 000 nga 3 200 kur unë mora Presidencën, vendosa të bëja një intervistë me gazetarin e televizionit CBS, Dan Rather.

Pas një diskutimi të gjerë për Kosoven, Dan-i më pyeti se nëse e prisja që një ditë të bëhesha bashkëshorti i një senatoreje të Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë shumë zyrtarë të New York-ut ishin bashkuar me Carli Renxhell (Charlie Rangel) për t’i kërkuar Hillaryt të merrte në konsideratë që t’i hynte garës.

I thashë Rather se nuk e kisha idenë se çfarë ajo do të vendoste, por nëse do të kandidonte dhe do të fitonte “ajo do të ishte e mahnitshme”. Në prill ndërsa ne kishim shtuar bombardimet në qytetin e Beogradit duke goditur Ministrinë e Brendshme, selinë e televizionit shtetëror serb, shtëpinë e Millosheviqit dhe ndërtesën e partisë së tij, konflikti në Kosovë u intensifikua. Ne gjithashtu shtuam jashtëzakonisht mbështetjen financiare dhe praninë me trupa ushtarake në shtetet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia për t’i ndihmuar ata të përballonin vrullin e madh të refugjatëve.

Nga fundi i muajit, kur Millosheviqi nuk ishte përkulur ende, nga dy drejtime njëkohësisht po vinin kundërshtime ndaj politikës sonë. Toni Bler (Tony Blair) dhe disa anëtarë të Kongresit mendonin se ishte koha për të dërguar trupa nga toka, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër dërgimit të trupave pa aprovimin paraprak të Kongresit.

Unë besoja ende se fushata ajrore do të jepte rezultat, dhe shpresoja se mund ta shmangnim dërgimin e trupave nga toka për arsye të ndryshme nga ajo e misionit paqeruajtës.
Në 14 prill i telefonova Boris Yeltsin për t’i kërkuar pjesëmarrje me trupa ushtarake në një forcë paqeruajtëse ashtu si edhe në Bosnje. Shpresoja se një prani ruse do të ndihmonte të mbronte minoritetin serb dhe mund t’i jepte Millosheviqit një mundësi për të shpëtuar fytyrën e tij për kundërshtimet ndaj vendosjes së trupave të huaja.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)