Partitë opozitare (PDK, LVV, AAK, NISMA Socialdemokrate) në Lipjan kanë lëshuar një komunikat për media rreth mbledhjes së jashtëzakonshe të thirrur për sot, mirëpo nuk u vazhdua në mungesë të grupeve parlamentare të pozitës.
Në njoftim thuhet se “Partitë opozitare të përfaqësuara në Kuvend, kanë bërë kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme për të debatuar për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Lipjanit për vitin 2017.Mbledhja e thirrur nga Kryesuesi për sot, nuk u mbajt në mungesë të grupeve parlamentare të pozitës”.
“Kjo dëshmon që Kryetari Ahmeti vazhdon presionin dhe kontrollin mbi Kuvendin, duke shkelë çdo parim të demokracisë.
Mosprezenca e grupeve të pozitës, Kryetarit Ahmeti dhe drejtorëve të tij, tregon mosgatishmërinë për llogaridhënie dhe transparencë.Ne si opozitë, jemi të vendosur për të shterur të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar llogari për shkeljet e rënda të paraqitura në Raport” –thuhet në reagim .
“Ne do t’i drejtohemi Prokurorisë, duke deponuar Kallzim Penal, për të ftuar t’i fillojë hetimet, sepse konsiderojmë se ka bazë të mjaftueshme që i përgjigjen veprës penale Keqpërdorim i detyrës apo i autoritetit zyrtar të përcaktuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata për media e lëshuar nga opozita në Lipjan.
Kuvendi i Komunal i Lipjanit në mungesë të korumit nuk e ka vazhduar sot seancën e jashtëzakonshe e thirrur me kërkesë të opozitës ku do të diskutohej për raportin e Auditorit./Ulpianapress/
COMMENTS