Së shpejti Lipjani bëhet me shenja të sinjalizimit digjital të komunikacionit

Së shpejti Lipjani bëhet me shenja të sinjalizimit digjital të komunikacionit

Tasholli: Të gjitha rrugët janë të kalueshme deri më tani

Komuna e Lipjanit në bashkëfinancim me OJQ “DEMOS” në vlerë prej 150 mijë eurosh kanë nisur realizimin e projektit “Sinjalizimi digjital i shenjave në komunikacion”.

Në tri hyrje-dalje të qytetit dhe në rrugët kryesore “Hajredin Bajrami”, Avdi Kelmendi” “Lidhja e Prizrenit” “Skënderbeu” etj, do të vendosen tabela digjitale orientuese të komunikacionit. Gjithashtu në kuadër të këtij projekti në qytet dhe nëpër fshatra do të vendosen mbi 100 tabela rrugore të komunikacionit të cilat janë dëmtuar gjatë periudhës së fundit kohore. Nga ana tjetër ky projekt e lehtëson edhe punën e Policisë së Kosovës në komunikacion.

Ilir Tasholli drejtor i Shërbimeve Publike në komunën e Lipjanit ka njoftuar se projekti do të finalizohej brenda këtij viti sipas dinamikës së punimeve, andaj zotohet se qyteti i Lipjanit gradualisht po bëhej model për komunat tjera.

“E kemi fituar një grandë në vlerë prej 103 mijë euro nga DEMOS dhe me bashkëfinancim me komunën kemi grumbulluar gjithsejtë 150 mijë euro për ta realizuar këtë projekt mjaftë të rëndësishëm për qytetarët e kësaj komune. Në të gjitha hyrje-daljet e qytetit në afërsi të shkollave dhe në rrugët kryesore brenda qytetit do të vendosen tabela digjitale sinjalizuese, pastaj ky projekt përfshin edhe vendosjen e tabelave, shenjave të komunikacionit, vijave të bardha nëpër rrugë dhe vijave të bardha për këmbësor etj”, ka njoftuar Tasholli.

Sipas tij, tabelat rrugore po dëmtohen nga kushtet atmosferike dhe nga personat e papërgjegjshëm, andaj të gjitha ato do të vendosen në kuadër të këtij projekti.

Nga ana tjetër projektin e komunës për sinjalizimin e tabelave rrugore e ka përkrahur edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Lipjan Driton Imeri duke e vlerësuar si mjaftë të rëndësishëm për qytetarët e kësaj komune.

“Këto investime të komunës janë të mirëseardhura edhe për Policinë sepse krijojnë siguri në komunikacion. Tabelat sinjalizuese digjitale dhe ato rrugore në përgjithësi janë shumë të nevojshme sepse nëpërmjet tyre kufizohet shpejtësia dhe bëhen orientimet rrugore nëpërmjet të cilave lehtësohet qarkullimi”, ka thënë Imeri.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)