Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq është takuar sot në Paris me homologun e tij francez, Emanuel Macron.
Në një adresim për media pas takimit që zgjati një orë më shumë se sa ishte planifikuar, Vuçiq bëri të ditur se temë diskutimi e këtij takimi ishte edhe Kosova.
Ai tha se mori mbështetje nga presidenti francez për arritjen e një marrëveshje me Prishtinën, marrëveshje kjo që do të ishte në të mirë të rajonit.
“Ne morëm mbështetjen për arritjen e një marrëveshjeje me shqiptarët në Kosovë, në të mirë të sigurimit të paqes për të gjithë rajonin”, u shpreh Vuçiq.
Vuçiq shtoi se në këtë takim u fol edhe për dialogun e Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për marrëdhëniet bilaterale Beograd-Paris.
Nga ana tjetër, presidenti Macron bëri të ditur se do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Serbi në nëntor të këtij viti.
Ai kujtoi edhe historinë e të dy vendeve ku përmendi aleancat e mëparshme ushtarake mes Serbisë e Francës.
“Ne kemi harruar se dikur kemi qenë bashkë, ne e liruam Serbinë së bashku, nëse ju më jepni disa dokumente sot, atëherë kjo do të sillte obligime të reja mes nesh, sot ne jemi përsëri bashkë, në misione të përbashkëta në Mali e Liban”,u shpreh Macron.
Vuçiq në këtë takim e uroi Macronin për fitoren e Francës në Kampionatin Botëror të Futbollit, e presidenti frances i’a ktheu urimin, duke e përgëzuar atë për fitoren e Djokovic në turneun e tenisit në Ëimbledon.
Në këtë konferencë për media, Vuçiq foli edhe për zbardhjen e vrasjes së liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq, për të cilën tha se Serbia ka kërkuar regjistrime nga satelitet ndërkombëtare, por që të njëjtat nuk i janë dhënë.
Ai tha se ka përparime në hetimet për vrasjen e tij, megjithëse tha se ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
Vlen të theksohet se takimi i sotëm Macron-Vuçiq zgjati më shumë se një orë, ndërkaq që ishte parashikuar të zgjaste vetëm 25 minuta.
COMMENTS