Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, konfirmoi sot se Qeveria e Republikës së Serbisë nuk ka miratuar kërkesën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, që ta vizitojë Novi Pazarin.
“Çdo përpjekje e tij për të ardhure [në Novi Pazar] do të ishte ilegale dhe dihet se si veprohet me ata që përpiqen ilegalisht të hyjnë në territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, tha Vulin.
Vulin, siç raportojnë mediat serbe, ka kërkuar që të mos bëhet një paralele me veprimin e autoriteteve të Prishtinës.
“Mos të harrojmë, ne jemi një shtet i njohur ndërkombëtarisht, kurse ‘Kosova dhe Metohia’ është territor nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në pajtim me Rezolutën 1244. Pacolli si ministër i Jashtëm nuk mund të vijë në territorin e Republikës së Serbisë, për arsyen e thjeshtë se as Rezoluta 1244, as me dokumentet përkatëse të UNMIK-ut, nuk parashikohet që të ketë ndonjë Ministër të Jashtëm”, tha Vulin, përcjell Telegrafi.
Pacollin, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme, e ka ftuar për vizitë në Novi Pazar, Sulejman Uglanin, President i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka paralajmëruar liderët e Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve që të respektojnë ligjet e shtetit të tyre, mbi të gjitha Ligjin për Këshillat e Pakicave Kombëtare, i cili ua ndalon anëtarëve të Këshillit që të angazhohen në politikë.
Sipas informatave të Tanjugut, Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve kishte planifikuar një pritje zyrtare në lokalet e saj, për të vazhduar me një tribunë në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Novi Pazarit, në të cilën duhet të merrte pjesë Pacolli. /Telegrafi/
COMMENTS