LDK i përgjigjet ftesës së Veselit për dialog

LDK i përgjigjet ftesës së Veselit për dialog

Edhe në Prizren votat me postë shkojnë për Mytaher Haskukën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar udhëheqësit e partive politike parlamentare në një takim të përbashkët me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi. Mirëpo, nuk dihet ende se a do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Veselit subjektet opozitare në vend.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar deputetin e partisë më të madhe opozitare (LDK), Ismet Beqirin për të mësuar qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje.

Ai ka thënë se tani nuk kanë qëndrim zyrtarë të partisë, por me shumë gjasë përgjigja sipas tij, do të jetë negative.

“Nuk kemi ende qëndrim për ftesën por mendoj qe nuk duhet te shkojmë dhe nuk kemi pse te shkojmë sa për te thënë qëndrimin e LDK-së, personalisht e konsideroj të pa nevojshme, sepse qëndrimi ynë është i njohur publikisht dhe po e themi vazhdimisht. Mendoj qe përgjigja jonë do të jetë negative”, ka thënë Beqiri.

Më tutje, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së shprehet i bindur se nuk ka asgjë nga takimi në fjalë.

“Ju e dini qe ne kemi pas filluar me organizimin e tryezave te partive politike, si një rast i mirë për te gjetur një rrugëzgjidhje te kësaj situate, qe ne fund do te rezultonte me caktimin e një date për zgjedhje te reja. Si dihet nuk kishte ndonjë përafrim te qëndrimeve dhe jemi këtu ku jemi”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që LDK t’i bashkohet pozitës në bisedimet me Serbinë, ai ka theksuar se kanë qëndrim të njohur për opinionin. Sipas tij, kushti i vetëm i tyre për t’u futur në dialog është të dërgohet vendi në zgjedhje.

“Ai mbetet i tillë, i pandryshueshëm, këtyre institucioneve aktuale, janë të brishta, të dobëta, jo funksionale dhe u mungon legjitimiteti e fuqia për të marr vendime. Vetëm zgjedhjet e reja, besojmë thellë do të nxjerrin Institucione kredibile dhe funksionale. Ne nuk i bashkohemi kurrfarë ekipi të negociatave për dialogun”, ka përfunduar Beqiri.

Ndryshe, Veseli u ka dërguar ftesë të premten e kaluar gjithë krerëve të partive parlamentare që t’i takoj të hënën e javës së ardhshme para seancës plenare për të diskutuar për rolin e tyre në procesin e dialogut.

Kujtojmë, se në ftesën e dërguar nga kryetari i Kuvendit, të cilën e ka siguruar “Indeksonline”, ndër të tjera thuhet se “spektri politik kosovar, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar, unik dhe i përgatitur”.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)