Sa shpenzojnë shqiptarët në verë dhe cilët këngëtarë paguhen më shumë?

Sa shpenzojnë shqiptarët në verë dhe cilët këngëtarë paguhen më shumë?

Ëndrra bëhet realitet, këngëtarja shqiptare ngjitet në skenën gjigante të Moskës

“Living la vida loca”. Më mirë se sa kjo shprehje nuk e përcjell realitetin e netëve të argëtimit që Shqipëria rezervon në të gjithë vijën bregdetare këtë verë. Ndonëse ky sektor është tërheqës në muajt e verës në Mesdhe, këtë vit nuk po kalon ditë të mira. Fillimisht, moti i paqëndrueshëm ka ndikuar në uljen e frekuentimeve në muajt e parë të çeljes së sezonit.
Një tjetër problematikë në lidhje me bizneset e argëtimit është rënia që operatorët vënë re në shpenzimet në këto ambiente. Ndonëse ka gjithnjë tavolina VIP, sipas tyre, që shpenzojnë sa e gjithë pjesa tjetër e klubit, në përgjithësi, shqiptarët konsumojnë 1-2 pije, veç biletës (në rast performancash live). Ky sektor “vuan” edhe nga informaliteti, ka klube që biletat i shesin në treg informal, si dhe ka konkurrencë të pandershme ndaj aktorëve të tregut që respektojnë ligjin.

Vetëm pak ditë më parë, disa subjekte që operonin në vijën bregdetare të Durrësit, si dhe në Rivierë, iu bllokua aktiviteti me 30 ditë kalendarike, pasi u evidentuan shkelje për moslëshim kuponi tatimor. Dy muajt e parë të verës, qershori dhe korriku, sipas bizneseve, nuk patën fluksin e parashikuar të frekuentimit. Kjo erdhi si pasojë e motit të paqëndrueshëm, ndërsa pritet që gushti të jetë më i frytshëm. Shifra rekord priten veçanërisht në 15-ditshin e parë të gushtit, ndërsa në shtator, shifrat do të ulen sërish, për shkak edhe të frekuentimit më të ulët. Një tendencë e re, e nisur në dy vitet e fundit, por me rritje këtë verë, është ai i turistëve të huaj. Përveç shqiptarëve brenda kufijve, si dhe atyre të diasporës, të huajt që kanë ardhur për turizëm në Shqipëri, janë shndërruar në frekuentuesit kryesorë të klubeve verore.

Dorjan Maknori, menaxher i klubit “Lolipop” në Tiranë, si dhe “Tropikal Resort” në Durrës, thotë për “Monitor” se hoteli në Durrës i ka të mbyllura rezervimet deri në fund të verës, nga fluksi i turistëve të huaj, kryesisht polakët. Sipas tij, ata janë ndër frekuentuesit kryesorë që në nisje të sezonit të performancave live në klubin e tyre. Maknori pohon se shqiptarët shpenzojnë për luks, sepse e duan fasadën, ndonëse krahasuar me vite më parë ka një rënie të shpenzimeve të tyre, me 20-30%. Sipas tij vijon kontrasti i madh në një natë në klub, shumica e njerëzve kalojnë të gjithë natën me maksimumi 2 pije, ndërsa një tavolinë shpenzon 1 milionë lekë me shampanja.

Maknori tregon se, shumica e klientëve të “Tropikal” gjatë verës janë ata që kanë frekuentuar “Lolipop” në Tiranë, një tendencë që shihet edhe në klube të tjera, zhvendosja e jetës së natës nga kryeqyteti drejt detit, duke preferuar, atë që ndjek pjesën tjetër të vitit. Ai tregon se gushti pritet të jetë shumë mirë me frekuentime, ndërsa kanë planifikuar dy ditë në javë performanca me këngëtarë të njohur. Maknori shton se në organizimin e një koncerti të tillë me këngëtarin nga Kosova, Ledri Vula, pati 3000 pjesëmarrës. Sipas tij, nuk ka të njëjtin impakt DJ, duke qenë se këngëtarët pëlqehen nga komunikimi i mirë përmes mikrofonit me publikun e pranishëm, të cilët nuk janë rastësisht aty, por si fansa të artistit.

Një tjetër tendencë e këtij sezoni është raporti thuajse 50/50 i këngëtarëve shqiptarë me ata të Kosovës, madje në disa raste duket se po fitojnë ndjeshëm terren edhe kundrejt atyre të Kosovës. Një nga arsyet janë tarifat. Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova. Por, ka edhe përjashtime. Ndërsa grupet hyjnë pak në preferencat e diskove verore, e këtu përjashtim bën vetëm grupi legjendar “Elita 5”. Muzika është padyshim një nga “armët” kryesore në industrinë e argëtimit, por nuk duhet të mbetet e vetmja. Ajo duhet të shoqërohet me investime në ambient, por edhe në teknologjinë e ndriçimit, audios dhe efekteve speciale, të cilat sipas drejtuesve, i shtojnë kostot këtij sektori. Megjithatë, një avantazh, sipas tyre në ditët e sotme janë rrjetet sociale që shërbejnë si kanalet më të mira të përçimit të mesazheve. Bizneset e argëtimit i shohin rrjetet sociale, sidomos Instagram-in, si një mjet me kosto të ulët dhe që garanton përhapje të lajmeve.

Konkurrenca

Konkurrenca ndihet dhe është gjithmonë sfida për të kërkuar gjetje të reja, me qëllimin e vetëm për të përthithur klientelë. Sa më i veçantë të jesh në llojin tënd, aq më shumë rritet siguria për të pasur klientë besnikë. Shijet janë të shumta dhe mundësitë për t’u dëfryer janë po të tilla. Eksperimentet janë edhe një shans për të testuar klientelën, e cila nëse nuk arrin të kënaqet, do të thotë se përballë është edhe rreziku për të humbur terren. Një dukuri që shoqëron këtë biznes është edhe fakti se konkurrenca ka shtuar ofertat ekstreme dhe kjo bën që klienti të mos jetë besnik, por të rendë pas tyre. Oferta nuk është vetëm një pije e lirë apo një mbrëmje me të gjitha pijet falas, por edhe kur bëhet një shpenzim i madh kundrejt një përfitimi zero. Në këtë mënyrë, klientët ndihen të joshur herë nga njëri e herë nga tjetri. E në këto kushte, ky është një treg që lëviz çdo ditë dhe evoluon.

Ergys Keta, menaxher i “Cinco Cavalli” thotë se sezoni pavarësisht vështirësive të këtij sektori, ka nisur mirë. Kanë realizuar investime të reja, si dhe nga ana e programit është përpiluar një skedë me eventet e parashikuara. Këngëtarët më të pëlqyer, si dhe ata që kanë qenë në nisje të këtij sezoni, sipas z. Keta, janë Ledri Vula, Kidda, Mc. Kresha, Lyrical Son, Butrin Imeri. Pagesa për këngëtarët është e ndryshme, sipas tij, në varësi edhe të hiteve dhe të repertorit që do të performojnë. Ergysi shton se, ndonëse shqiptarët kanë maninë të ankohen për çmimet, për jetesën e vështirë etj., kur flitet për argëtim nuk bëjnë kompromise, shpenzojnë. Turistët, sipas menaxherit të “Cinco Cavalli” në Durrës janë një ndër frekuentuesit kryesorë që synohen, duke marrë në konsideratë që në bregdetin e Durrësit janë shtuar turistët vitet e fundit. Sa i përket konkurrencës, Ergysi thotë se pjesa më e madhe e klubeve kryesore në vend punojnë për një qëllim kryesor: atë të zonës VIP.

Performanca Live dhe Dj

Drejtori artistik i “Havana Club” thotë se performancat në pjesën më të madhe, janë live. Tregu në Kosovë ka më shumë emra dhe si rrjedhojë, ata dominojnë në numër, por ka edhe shumë këngëtarë shqiptarë që bëjnë pjesë në “TOP listë” dhe që kërkohen mjaft. Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova dhe kjo është një tendencë që vijon ndër vite. Panorama ndryshon kur bëhet fjalë për DJ. Ata paguhen më pak se këngëtarët, janë të kërkuar në diskot verore të hapura, kryesisht në Jug, ku mund të zhvillohen edhe gjatë ditës “Schiuma Party”. Tarifat e tyre në krahasim me një vit më parë kanë shënuar rreth 20% rritje, megjithatë emrat e njohur si DJ Sardi, DJ Aldo etj., marrin pagesa më të larta, që variojnë te 1 mijë euro nata. Ndërsa pagesat për këngëtarët sigurisht janë më të larta. Jeton Rexhmati, menaxher i “Pista Kosova” në Plazh në Durrës thotë se pagesat e këngëtarëve rriten nga viti në vit.

Sipas tij, Noizy paguhet 5-6 mijë euro në natë, “Elita 5”, 5 mijë euro, Sabri Fejzullahu, Gold Ag, Robert Berisha 1-2 mijë euro, Mentor Kurtishi 1.5 mijë euro, Bes Kallaku dhe Kimikati, duke nisur nga 2 mijë euro etj. Drejtues të diskove të tjera verore në Shqipëri, ndonëse pa dhënë emra, pohojnë për “Monitor” se pagesat e këngëtarëve janë minimalisht 1.5 mijë euro deri në 6-7 mijë euro për një natë.

Jetoni pohon se për pjesëmarrje më të madhe në eventet që ata organizojnë kryesojnë shqiptarët e Kosovës, ndërsa për konsum shqiptarët dhe të huajt. “Shqiptarët e Kosovës marrin një pije dhe rrinë gjithë natën me të. Shuma më e madhe e shpenzuar në një natë është 20 mijë euro, më shumë shampanjë që kryesisht nuk e konsumojnë. Ndërsa net të tjera numërohen rreth 3000 euro me shampanja”, – thotë drejtuesi i “Pista Kosova”. Drejtuesit e diskove verore mundohen që kur sjellin DJ, këta të fundit të jenë të shoqëruar edhe me vokalistë, për ta bërë spektaklin më të plotë dhe të arrirë.

Megjithatë, një këngëtar është sipas tyre, artist dhe mbret i skenës, ndaj dhe preferohet më tepër. Në çdo performancë sigurohet që shijet të jenë të njëjta me vendet e tjera, që kanë testuar edhe më parë këto përvoja. Këtë vit, sipas tyre pëlqehet, më pak muzikë e huaj dhe më shumë ajo shqiptare Ani Dobi, menaxher i “L’arena” në Tiranë, si dhe së fundmi, i “Saint Tropez” në Vlorë, pohon për “Monitor” se sezoni ka nisur mirë dhe këngëtarët që priten të performojnë gjatë gjithë verës në Vlorë do të jenë “ajka” e artistëve. Në këtë klub në Jug të vendit nuk do të merren DJ fare. Se sa shpenzojnë shqiptarët, z. Dobi thotë se ka rënë disi konsumi krahasuar me dy vite më parë, megjithatë, një shumë e shpenzuar nga një tavolinë këtë verë ka arritur edhe 20 mijë euro. Z. Dobi konfirmon tendencën e turistëve që janë shndërruar në frekuentuesit kryesorë, qofshin të huaj apo shqiptarë të diasporës.

Çmime

DJ me famë botërore, si DJ Tiesto, David Guetta në Shqipëri janë paguar nga 50,000 deri në 70,000 euro në një natë, ndërsa një DJ i huaj i nivelit mesatar paguhet deri në 5,000 euro në natë. DJ shqiptar më i paguar në natë fiton 1,000 deri në 1,500 euro. Nëse performancës do t’i shtohen edhe balerinat, qofshin të huaja apo shqiptare, kostot janë ekstra. Një balerinë e huaj paguhet deri në 500 euro, ndërsa një shqiptare nga 100-150 euro. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: konsumin e alkoolit. Në këto spektakle, shpesh menaxherët përfshijnë edhe mënyra të tjera marketingu e tërheqjeje, si lojëra të ndryshme, performanca me shkumë etj.

Platforma My Ticket

Një tendencë e cila ka nisur herët kudo në botë, por që pritet të zhvillohet më tepër në Shqipëri është shitja e biletave online. MyTicket, e themeluar në 2016, është platformë për administrimin dhe shitjen e biletave të eventeve të shumëllojshme si: ndeshje sporti, shfaqje teatri dhe kinemaje, estradë dhe shoë artistike, koncerte dhe festivale muzikore, por jo vetëm, muze dhe ekspozita, evente korporative dhe festa familjare, udhëtime dhe paketa turistike etj. Së fundmi, ka nisur të operojë në bashkëpunim me klubet verore për të ofruar shitjen e biletave për to, në rast të një këngëtari të njohur, ku priten edhe frekuentim i lartë. Rasti konkret është eventi që u zhvillua në Durrës më datë 4 gusht, me praninë e këngëtarit nga Kosova “Unnikatili”. Sipas informacioneve nga kompania, biletat nisin nga 15 euro deri në 200 euro (VIP), ku pritet një pjesëmarrje prej mbi 10 mijë personash.

INSTAT: 122 milionë euro për argëtimin në 2017

Shpenzimet e shqiptarëve në një vit kalendarik për argëtim, çlodhje dhe për veprimtari artistike, brenda vendit, arrijnë mbi 16,7 miliardë lekë (122 milionë euro), apo rreth 1.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT, në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2015. Po të marrin në konsideratë edhe harxhimet që shqiptarët bëjnë jashtë vendit për argëtim dhe çlodhje, këto shpenzime janë shumë më të larta. Shqiptarët i kushtojnë vëmendje argëtimit, teksa konstatohet se shumat që shpenzojnë për çlodhje janë vetëm 2.5 herë më të ulëta se ato për kujdesin shëndetësor dhe 3.8 herë më të ulëta se shpenzimet për arsim, që konsiderohet edhe baza e investimit të qëndrueshëm dhe me perspektivë për një familje. Mirëpo të krahasuara me 2014, këto shpenzime pësuan ulje me 1.5% më 2015. Shpenzimet për çështje të argëtimit kanë një lidhje të drejtë me krizën ekonomike. Po të shohim ecurinë e tyre ndër vite, vihet re se ato kanë ndjekur ciklin e ekonomisë. Pjesën më të madhe të tortës së shpenzimeve për argëtim duket se i marrin baret dhe restorantet dhe më pak aktivitetet sportive dhe veprimtaritë e artit. Nga ana tjetër, fondet publike për argëtim janë rritur vitet e fundit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, shpenzimet qeveritare për argëtim ishin 33% më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Festivali i Kala-s që mori vëmendjen e të huajve

Shqipëria vizitohet në vit nga rreth 80,000 turistë nga Mbretëria e Bashkuar – një numër i vogël krahasuar me 3 milionë që udhëtojnë çdo vit në Greqinë fqinje, ose 765,000 që vizitojnë Kroacinë aty afër saj. Por ky trend ka gjasa të ndryshojë. Kështu e nisi prestigjiozja “The Guardian” një artikull për një festival në bregdetin tonë, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë të huajve. Në vitin 2014, “Neë York Times” e përfshiu bregdetin shqiptar mes destinacioneve më të mira të saj (“Kjo është Europa në kohën kur çdo gjë ishte e freskët dhe e lirë”, shkruan ajo), ndërsa “Lonely Planet” e renditi Tiranën, mes vendeve më të mira për t’u vizituar në Europë këtë vit. Kala – një festival njëjavor i cili zhvillohet në qershor në resortin turistik të Dhërmiut – mund të konsolidojë reputacionin e Shqipërisë si destinacion i ri me plazhe dhe i përshtatshëm për festa, në të njëjtën mënyrë që Outlook dhe Dimensions e vendosën Kroacinë në hartë për britanikët e rinj.

Për momentin, Dhërmiu është pak i vështirë për të shkuar: një fluturim në Korfuz, pastaj katër orë me traget dhe autobus. Megjithatë, me aeroportin e ri që pritet të hapet në Vlorë (vetëm 50 kilometra larg nga Dhërmiu) në vitin 2020, aksesi do të përmirësohet në mënyrë ndjeshëm. Festivali Kala gjithashtu ka një program kushtuar jetës së shëndetshme. Kala u zhvillua në fund të qershorit (20 – 27 qershor) në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit. Në dispozicion u vunë 2,000 bileta, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti te restorant Luciano ishin më të pëlqyerat).

Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B te hotelet luksoze, të gjitha brenda rrezes së zhvillimit të festivalit. Me një program Ëellness (yoga dhe banja me gong përballë detit Jon) i cili ofrohet paralelisht me eventet muzikore, festivali siguron hapësirë edhe për ata që janë të interesuar për pushime të qeta (i ngjashëm me festivalin veror të Kroacisë, Obonjan) ndërsa për ata që dëshirojnë të festojnë gjatë gjithë natës (ka muzikë deri në orën 6:00 të mëngjesit çdo ditë).

Repertori ishte kryesisht muzikë elektronike, përfshirë grupet underground të Londrës – Feelings, Secretsundaze, Phonica dhe Stamp the Ëax – për të formuar një turmë (shumë ndjekës të festivalit ishin nga Mbretëria e Bashkuar), si dhe të preferuarat e Moodymann, Maurice Fulton, Tama Sumo dhe Lakuti. Artistët kryesorë ishin Tom Misch dhe Todd Terje, ndërsa shpirti dembel dhe i rrahur nga dielli i Roy Ayers e bëri turmën të gjithën për vete. Ekipi që themeloi Kala – Mainstage Travel – është iniciatori i një prej festivaleve më të mëdha të dimrit në Europë, Snoëboxx. Përgatitjet për një festival vere kishin nisur prej tre vitesh. “Ne bëmë kërkime në Portugali, Kroaci, Itali, Spanjë, Maltë, Marok, por nuk gjetëm asnjë vend të paeksploruar”, shprehet Alan Crofton, drejtori i festivalit.

“Në tetor të vitit të kaluar, ne vizituam Dhërmiun për herë të parë dhe menjëherë na tërhoqi potenciali i tij. Ideja është se je me pushime, ndaj vjen dhe çlodhesh në plazh … Shumica e njerëzve me të cilët fola, e konfirmuan këtë gjë. “Gjëja më e mirë do të ishte të shkonim diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha Rebecca, 27 vjeç, nga Londra.

“Doja të shkoja në një festival jashtë vendit. E zbulova në Resident Advisor dhe fotot dukeshin të mahnitshme”. Teksa shumë prej nesh qëndruan për një javë të plotë, Ministria e Turizmit i nxiste të ftuarit që të eksploronin vende të tjera të rivierës shqiptare. Këto ishin Gjiri i Gramës, i quajtur ndryshe simotra shqiptare e plazhit të Aleks Garlandit – një gji i veçuar, në të cilin mund të shkohet vetëm me anije, me ujin blu që të lë pa frymë dhe me qindra mbishkrime nëpër shkëmbinj që datojnë që në shekullin e 3 para Krishtit; Burimi i Syrit të Kaltër, një pishinë 45 metra e thellë e rrethuar me pemë lajthie; dhe plazhi i Ksamilit, një fshat bregdetar nga i cili mund të eksplorohen me varkë katër ishuj të pabanuar.

Për mua, pjesa më mbresëlënëse nga Kalaja ishte pikëtakimi në Gjipe, plazhi dhe vend-kampingu ekologjik në gjirin më tutje, një udhëtim me gomone që zgjati gjashtë minuta nga Dhërmiu. Vetëm përtej plazhit, i rrethuar nga bimësi e harlisur dhe shkëmbinj të thepisur në ngjyrë të kuqe, ndodhej një skenë e vogël dhe sistem audio, ku mundëm të kërcenim deri në perëndim të diellit dhe erdhi koha për t’u kthyer me barkë. DJ, duke përfshirë Bjørn Torske, Nick The Record dhe Jenifa Mayanja, luajtën me radhë për një turmë njerëzish me fytyra të qeshura dhe të përkëdhelura nga dielli … muzika që përplasej me grykën, ndryshonte ngjyrë çdo orë nën sfondin e një drite që zbehej. Një shëtitje në kanion, na çoi te një ujëvarë e fshehtë – një gjurmë sekretesh të tjera që kjo pjesë e bregdetit mund të nxjerrë.

Tirana, në hartën e jetës së natës

Skenat e festave në Ballkan janë përfaqësuese të diversitetit ngazëllyes të rajonit dhe vlerësimit të saj gjithëpërfshirës për gjërat më të bukura në jetë. Mundësitë për t’u argëtuar shpesh janë përparësitë më të mëdha për shumicën e njerëzve që punojnë dhe mundohen, por në Ballkan, sipas Single Travel Guide, mund të gjesh forma festash – dhe nuk ka mungesë të njerëzve për të festuar, pa marrë parasysh kohën: ditë apo natë. Në Ballkan, sipas traditës, festojnë edhe 20-vjeçarët, edhe më të moshuarit. Sipas Single Travel Guide për 2018, vendet me jetën e natës më të gjallë në Ballkan janë:
Hvar, Kroaci:

E njohur si një ndër ishujt me jetën e natës më të gjallë në Adriatik, Hvar do t’ju tregojë ju se si bëhet një festë. Ka party në plazh, festivale këngësh, koncerte, për të gjithë llojet e buxheteve.

Budva. Mali i Zi

Ka pasur shumë rëndësi gjatë viteve të fundit kjo zonë në Mal të Zi: emri i tij, Budva, njihet për fortifikimet dhe arkitekturën e vjetër. Por, për të gjithë që do ta vizitojnë, Atraksionet e natës janë qershia mbi tortë.

Tirana, Shqipëri

Jetë nate në Shqipëri? Pavarësisht ndryshimit të regjimit më shumë se njëzet vjet më parë, shumica ende e përfytyrojnë Shqipërinë si një vend ku qëndrimi i stilit sovjetik vazhdon të mbizotërojë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ato kohë, siç do të zbuloni kur të shkoni jashtë hotelit tuaj për të përjetuar kryeqytetin natën. Tirania ka shumë për të ofruar, nga klubet e vallëzimit, të cilat mbushen herët (si orën 10:30, kështu filloni natën tuaj më herët se zakonisht), pas orëve të punës që do t’ju bëjnë të ndiheni sikur keni hyrë në një sekret të ruajtur prej vitesh.

Varna, Bullgari

Nëse keni kaluar në anën e Detit të Zi të Gadishullit të Ballkanit, ju këshillojmë të kaloni disa ditë në vendpushimin bullgar të Varna-s. Me një kulturë aktive plazhi, ushqim të lirë, strehim të lirë dhe më e rëndësishmja, birrë e lirë, është parajsa e të pasionuarve pas party-ve, të cilin askush jashtë Evropës Lindore nuk ka dëgjuar. Sipas të dhënave të mbledhura nga portali që krahason kostot e jetesës në vende të ndryshme të botës, expatistan.com, Tirana është vendi më i shtrenjtë në rajon për argëtimin. Krahasuar me Tiranën, Prishtina është rreth 49% më e lirë për sa i përket shpenzimeve për argëtimin. Në Sarajevë, shpenzimet janë më të ulëta për argëtim, me 28%, në Beograd më të ulëta me rreth 29%. Edhe në Shkup dhe Podgoricë, përkatësisht më lirë me 21% dhe 23%, sipas të dhënave të 2018 për tremujorin e parë (revista Monitor).

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)