Një prokuror që po hetonte mashtrimin me listat e veteranëve për shkak të kërcënimeve dha dorëheqje para dy ditësh, por ndaj deklaratës së Kadri Veselit në të cilën e pranon se janë fryrë listat dhe se për këtë i mbyllën sytë bashkë me LDK-në, heshti një sistem i tërë prokurorial. Megjithatë i akuzuar për mashtrim me lista është edhe një kushëri i Veselit, Naser Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli, në tetor të vitit të kaluar kishte pohuar se ka pasur lista të fryera.
Kishte pranuar se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me të cilën kanë qenë në koalicion qeverisës në mandatin e kaluar së bashku kanë mbyllur sytë për fryrjen e listave të veteranëve.
Duke iu përgjigjur përgjigjur akuzave të deputetit të LDK-së, Lumir Abdigjiku, i cili pati thënë se Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi kanë fryrë listat e veteranëve, Kadri Veseli e dha këtë deklatarë nga foltorja e kuvenit.
“Ti po mendon që janë fry listat a? Janë fry shumë. Unë kom qenë pjesë e koalicionit të kalum. A e din sa e sa lista janë fryre nga partia e juaj. Me qindra vetë. Të cilët kurrë nuk kanë qenë në luftë. E kemi bërë për hir të pajtueshmërisë. Edhe dëgjo, i kemi mbyllur të gjithë sytë”, ka thënë Veseli, raporton Insajderi.
Pas kësaj deklarate duket se askush nuk ka guxuar të merret me Kadri Veselin, shkruan Insajderi.
Të paktën zyrtarisht prokuroria nuk ka njoftuar asnjëherë seVeseli ishte marrë në pyetje pas këtyre deklaratave.
Por një prokuror që po hetonte këto lista dha dorëheqje. Elez Blakaj me 13 gusht zyrtarisht u largua nga prokuroria pasi bëhet e ditur se u kërcënua.
Ndonëse Blakaj ende nuk ka folur lidhur me dorëheqjen e tij, kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se Blakajt i ishte ofruar mbrojtje nga shteti kur kishte lajmëruar kërcënimet.
Ai përmend të paktën dy raste kur Blakaj kishte pasur kërcënime, në rastin e veteranëve dhe në rastin e hetimit të imamit Shefqet Krasniqi.
Për manipulim me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashme ka edhe aktakuza të ngritura.
Në muajin prill një prokuror i EULEX-it e ka ngritur një aktakuzë kundër gjashtë (6) të pandehurve. Të dyshuarit akuzohen për veprat penale Posedim i paautorizuar i armëve, Mundësim ose detyrim në prostitucion, Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve.
Sheremet Jashari i prin listës së të akuzuarve për shumë vepra të rënda penale, përfshirë mashtrimin që lidhet me statusin e veteranit të UÇK-së.
Mes të akuzuarve është edhe Naser Veseli, një kushëri nga brezi i tretë i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro./Insajderi
COMMENTS