(I plotësuar)- Qindra qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”, gjatë së cilës pati kërkesa për largimin e kryeprokurorit të shtetit Aleksandar Lumezi, derisa pati edhe porosi për kryeministrin Ramush Haradinaj.
Organizatorët thanë se nuk ia kanë për borxh askujt përbuzjen, ofendimet, hajnitë, kërcënimet, duke përkujtuar se gjatë luftës në Kosovë në Prishtinë nuk është pirë makiato sikurse ka thënë kryeministri Haradinaj.
“A ka vend në fjalorin tuaj pak respekt ndaj shumë viktimave të këtij vendi, o zotëri me kravata. Nuk tolerojmë që prokurorët e askush tjetër të ikin prej vendit, pse deshën të bëjnë punën e tyre. Gjyqësori nuk duhet t’i shërbejë qeverive, por ligjit dhe mbi ligj nuk qëndron askush”, u tha me këtë rast.
Protestuesit kërkuan që “bandat lokale nuk mund të bëjnë çka të donë dhe nuk kanë të drejtë të ngritin veten mbi popullin që çmimin e lirisë e pagoi me çmimin e tij”.
“Kryeministri na tha se ne nuk kemi qenë në luftë dhe nuk e dimë sa veteranë janë në luftë, e ai e di. Por çka të themi ne kur prokurori që e di këtë detyrohet të ikë prej shtetit”.
Ndryshe, kryeprokurori i Shtetit Aleksandar Lumezi ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes nën presionin e organizatave të shoqërisë civile, ndërsa ka mohuar të ketë pasur presion mbi ish-prokurorin Elez Blakaj që dha dorëheqje kohë më parë për shkak të siç thuhet kërcënimeve dhe shantazheve ndaj tij.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur ish-prokurorin Blakaj ‘hajn të pulave’, duke thënë për më tepër se rasti Blakaj po rrezikon marrjen e liberalizimit ë vizave për Kosovën.
Kryeministri po ashtu tha se Vetëvendosje është ajo që po e shfrytëzon situatën e krijuar pas daljes publike të Blakajt për qëllime politike, derisa nuk ka pranuar të komentojë mbi deklaratat e komandant Sylejman Selimi që kishte deklaruar ditë më parë nga burgu se në UÇK kanë qenë pak mbi 12 mijë pjesëtarë.
Haradinaj ka thënë se nuk komenton deklaratat e Selimit dujke ditur se ai është duke vuajtur dënimin e tij, derisa ka thënë se sa i përket listave, do të vendoset pas procesit të rregullt ligjor.
…………………………….
Pamje/ Protestuesit arrijnë te Prokuroria
Protestuesit kanë arritur tanimë nga sheshi “Zahir Pajaziti” para objektit të Prokurorisë.
Me vuvuzela e brohoritje, ata po kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, raporton Indeksonline.
Protesta është organizuar nga Shoqëria Civile, derisa para Prokurorisë vërehen masa të shtuara të sigurisë.
COMMENTS