45 familje të lagjes “Bejtush Gerbeshi” në Lipjan prej disa vjetësh përballen me telashe për shkak të mungesës së investimeve kapitale.
Ndonëse vetëm 200 metra larg qendrës së qytetit, lagjes i mungojnë rrugët e asfaltuara, kanalizimi, ujësjellësi dhe ndriçimi publik, madje sa herë që ka reshje, banorët përballen edhe me përmbytje, ngase u mungon kanalizimi i ujërave atmosferikë.
Banorët disa herë kanë kërkuar nga Komuna që ta nisnin të paktën ndonjë projekt kapital, mirëpo deri tashti përveç premtimeve verbale nuk ka ndryshuar asgjë gjendja në terren.
Shkaku i mungesës së rrjetit të ujësjellësit, banorët janë obliguar të hapnin puse nëpër oborret e tyre, mirëpo ujin e puseve nuk po mund ta përdorin. Gjithashtu secila familje nëpër oborret e tyre kanë hapur gropa skeptike për ta bërë zgjidhjen e kanalizimit, mirëpo kundërmimi i fekaleve po e vështirëson jetesën e tyre.
Qeverisja lokale edhe këtë mandat nuk ka planifikuar aq shumë investime kapitale, të cilat e përmirësojnë jetesën e qytetarëve.
Ilir Tasholli, drejtor i Shërbimeve Publike i Lipjanit ka njoftuar se në lagjen “Bejtush Gërbeshi” gjatë këtij viti do të bëhet asfaltimi i rrugës kryesore përgjatë hekurudhës derisa të zgjidhen disa konteste pronësore, pastaj do të investohet edhe në rrjetin e kanalizimit, ujësjellësit, etj.
Koha Ditore
COMMENTS