Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell.
Sipas mediave serbe, që transmetojnë komunikatën e presidencës serbe, Vuçiq dhe Mitchell kanë diskutuar për përmirësimin e mëtejshëm të raporteve bilaterale ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, por mbi të gjitha për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Me Wess Mitchellin sot ka biseduar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Megjithatë, asnjëri nga dy liderët nuk e kanë përmendin idenë e shkëmbimit të territoreve.
Siç raporton agjencia e lajmeve Tanjug, në këtë bisedë është thënë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin plotësisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
Gjithashtu pritet të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate ndërmjet të dyja vendeve. Vuçiq, sipas mediave serbe, ka thënë se nuk beson në arritjen e marrëveshjes, por që do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht. /Lajmi.net/
COMMENTS