Ish-kreu i fushatës presidenciale të zotit Trump, Paul Manaforti, ka rënë dakord të pranojë fajin për dy akuza kriminale si pjesë e një marrëveshjeje me Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller. Ky vendim mund të jetë një goditje për zotin Trump në terma afat-gjatë lidhur me hetimet që po kryhen për ndikimin e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Si pjesë e marrëveshjes, 69-vjeçarit Paul Manafort, mund t’i kërkohet të bashkëpunojnë me hetimin që po kryhen zoti Mueller lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe nëse zyrtarë të fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Moskën. Detajet e marrëveshjes kanë gjasa të bëhen të ditura gjatë një seance dëgjimore ku zoti Manafort do të pranojë fajësisë parashikuar të mbahet në orën 11:00 në gjykatën federale.
Zoti Manafort do të pranojë fajin për një akuzë për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe një akuzë përsëri për komplot me qëllim pengimin e drejtësisë, sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykatën e Qarkut të Uashington DC. Gjykata ndërkohë ka rrëzuar 5 akuza të tjera.
Paul Manafort, i cili u dënua nga një juri në Virxhinia muajin e kaluar, lidhur me akuza për mashtrim me taksat dhe të dhënat bankare, pritej të dilte sërisht përpara gjykatës në Uashington për herë të dytë lidhur me akuza të tjera.
Përzgjedhja e anëtarëve të jurisë ishte parashikuar të niste të hënën me akuza që përfshinin komplot me qëllim pastrimin e parave dhe për të mashtruar Shtetet e Bashkuara duke mos u regjistruar si agjent i huaj si dhe për ndikim të paligjshëm tek dëshmitarët.
Vendimi i Paul Manafortit mund të jetë një goditje ndaj Presidentit Trump, i cili muajin e kaluar e vlerësoi ish-drejtuesin e fushatës së tij për mos lidhjen e një marrëveshjeje me prokurorët, sikurse bëri ish-avokati personal i tij Michael Cohen. Në një postim në twitter më 22 gusht, zoti Trump shkruante: “ndryshe nga Michael Cohen, ai refuzoi të ‘thyhet’, duke sajuar histori me qëllim sigurimin e një ‘marrëveshjeje’. Kam shumë respekt për këtë njeri të guximshëm!”, përfundonte postimin e tij Presidenti./tch
COMMENTS