Nexhmi Bytyqi sot shëtit i vetëm në mes të luginës së Akllapit. Të gjithë shokët e fshatit i janë shpërngulur nga aty.
Nexhmi Bytyqi, nga fshati Akllap i Lipjanit, ka thënë se dikur në këtë fshat kishte jetë dhe harmoni, ndërsa sot janë kujtimet ato që e mbajnë gjallë.
“Emri Akllap i ka mbetur fshatit nga Llapi. Ka pasur oda sikur po sot nuk e kemi asnjë. Sot rinia rrin në shitore dhe luajnë me letra. Fshati ka pasur mbi 200 shtëpi, sot nuk janë as 70. Shumica kanë ikur jashtë vendit. Këtu më s’ka as bujqësi as blegtori. Kanë mbetur vetëm tri ferma, ndërsa dikur fshati ishte i mbushur me buallica e lopë”, thotë Nexhmi Bytyqi për RTV Dukagjinin.
Po të hyjë njeriu për herë të parë në këtë fshat, do të jetë i mahnitur me mrekullitë që ka krijuar natyra.
Akllapi, njihej nga rrethina si “fshati i dhenëve’, sepse një kohë çdo e dyta familje mbante numër të madh të kopeve të deleve.
Në majë të kodrës së Akllapit, është e vendosur shkolla, ku kanë marrë mësimet shumë fëmijë.
Mësuesi i fshatit, Ahmet Gashi, i cili për 46 vite ka përcjellë gjenerata të shumta ka thënë se dikur fshati guduliste nga nxënësëit, ndërkaq sot numri i tyre është mjaft i vogël.
“Fshati Akllap është fshat kodrinoro-malor. Shtëpitë shtrihen përgjatë 2 kilometrave nga fillimi deri në fund të fshatit. Dikur kishte 240 nxënës sot janë rreth 120, ashtu si edhe qytetarët tjerë, që janë zhvendosur në kërkim të një jete më të mirë”, thotë mësuesi i fshatit, Ahmet Gashi, përcjell Telegrafi.
Akllapi është fshat kodrinor- malor.
Një pjesë e tij është e rrethuar me drunj të bukur, ndërsa dy anët tjera janë me kullosa, që magjepsin me pamjen e tyre.
Toka e këtij fshati është e përshtatshme për bujqësi dhe blegtori, edhe pse sot të paktë janë ata që punojnë tokën.
Shukri Krasniqi, ka thënë se ai është ndër të paktë banorë, që merret me bujqësi.
“Merrem me bujqësi e blegtori, por dikur fshati ka pasur rreth 2 mijë lopë. Më herët të gjithë kanë mbajtur lopë e dele, ndërsa tani është qetësi, shkretinë”, thotë banori i fshatit Shukri Krasniqi.
Bukuria e fshatit që kishte dikur, nostalgjia për kohën e rinisë e malli për shoqërinë e fshatit, janë vetëm disa nga ato që shpeshherë e mërzisin Nexhmi Bytyqin.
Ai ka thënë se edhe po të mbetet i vetëm në tërë këto male, ai nuk do ta braktis vendlindjen e tij.
/Telegrafi/
COMMENTS