Pas lajmit të bujshëm për zbulimin e laboratorit të drogës, këtu në Brenog të Hasit asgjë nuk pipëtin.
Një fshat pothuajse i braktisur nga të rinjtë, vetëm pesë kilometra nga rruga nacionale Kukës-Krumë.
Shtëpia e Mustaf Shutit ndodhet pothuajse në qendër.
“Kjo është shtëpia e Mustaf Shutit në Brenog të Hasit, aty ku policia lokale në bashkëpunim me agjencitë e tjera zbuloi dhe identifikoi një laborator që dyshohet se është përdorur për përpunimin e drogës. Prej 48 orësh tashmë ky vend survejohet dhe mbahet nën kontroll të plotë nga policia e Hasit”, raportoi gazetari Bujar Muçmata.
Ruhet në të katër anët me shërbim policie. Askush nuk lejohet të hyjë përveç personave të autorizuar për procesin hetimor.
Afër portës së oborrit duken maskat e dorezat e përdorura nga specialistët e antidrogës. Xhaviti me të shoqen Anilën, të atin Mustafan janë të shoqëruar në polici. Atje po mbahen edhe Flamur Çela, Vehbi Barushi dhe një shtetas turk. Brenda shtëpisë është vetëm një e moshuar në gjendje paralize për të cilën kujdesen herë pas here të afërmit.
Përballë ndërtesës së Mustafës, që tashmë dyshohet të jetë përdorur si laborator për prodhimin e lëndëve të forta narkotike, ndodhet shtëpia e Brahimit. Së bashku me motrën nuk kanë opinion të keq për familjen e fqinjit.
Fqinji 1: “Nuk kemi pasur ndonjë mosmarrëveshje”.
Fqinji 2: “Fjalët i jepshin të mira, por se ç’kishin në zemër nuk e di unë”!
Edhe banorët e tjerë të Brenogës, të cilët as që ju ka shkuar në mendje se do të kishte kaq pranë tyre një laborator të tillë.
“Nuk e kemi paramenduar këtë gjë. Kërrkush nuk e paramendon”, u shpreh një banor.
Të ndaluarit do të dalin të hënën para togave të zeza për t’u njohur me vlerësimin e masës. Dosja hetimore ndodhet në Gjykatën e Shkallës së Parë Kukës./abcnews.al
COMMENTS