Synimi i Kosovës për INTERPOL dhe ndarja e 1.2 milionë eurove për lobim

Synimi i Kosovës për INTERPOL dhe ndarja e 1.2 milionë eurove për lobim

Milaim Zeka paralajmëron vullkanin historik

Kosova këtë vit po synon të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare, Interpol.

Se a do të jetë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme, do të dihet në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme e cila do të mbahet në nëntor të këtij viti në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në bazë të agjendës së publikuar në faqen e Interpolit, Asambleja do të mblidhet me 18 nëntor dhe do të zgjas deri me 21 nëntor.

E për të lobuar për anëtarësim në këtë organizatë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen në javën e kaluar ka ndarë 1.2 milionë euro.

Në një përgjigje nga Zyra për Komunikim Publik në Qeverinë e Kosovës bëhet e ditur se këto mjete janë paraparë të shpenzohen për mbulimin agjendës shtetërore.

“Shuma e ndarë është paraparë për mbulimin e agjendës shtetërore për anëtarësim në INTERPOL”, kanë thënë shkurt për Indeksonline.

Ata kanë shtuar se grupi lobues që do të shpenzoj këto mjete financiare janë “Të gjithë zyrtarët e ministrive përkatëse dhe të Policisë së Kosovës që kanë marrë detyra konkrete për ta menaxhuar këtë proces”.

Ndërsa, theksojnë se Kosova do të anëtarësohet në Interpol.

“Qeveria mendon se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL sepse me këtë nuk humb askush, pos krimit transnacional”, thuhet në ZKM-së.

Njohësi i çështjeve për Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku për Indeksonline ka thënë se ndarja e mjeteve është pozitive por nuk garanton automatikisht anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Ndarja e mjeteve është hap pozitiv, po ndarja e fondeve nuk e garanton anëtarësimin automatikisht në këtë organizatë e rrjedhimisht efektivitetin diplomacisë dhe si do të përdorën këto fonde për të arritur qëllimin”, ka thënë Mazreku.

Mirëpo, ai shprehet skeptik nëse Kosova do të pranohet në Interpol.

Derisa, thekson se diplomacia Serbe ka arritur të pengoj anëtarësimin e vendit nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtarë, në këtë rast Interpolin, Diplomacia e Kosovës mund të konsiderohet si e dështuar, për shkakun se Kosova ka dështuar në anëtarësimin në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, tani në Interpol. Kjo për shumë arsyeje, njëra mungesa e diplomacisë efektive e cila do kishte garantuar anëtarësimin në këto organizata dhe e dyta diplomacia shumë efektive e Serbisë për me pengu Kosovën në anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sepse Serbia është e vetëdijshme që sot sovraniteti i shtetit është në raport me anëtarësimin e shtetit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë mes të tjerash Mazreku.

Ndërsa, për shtetet që mund të bllokojnë Kosovën, ka thënë se është e paparashikueshme qëndrimi i shteteve në asamble.

Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga delegatët e emëruar nga qeveritë e vendeve anëtare, ku çdo vend anëtar ka një votë. Për tu anëtarësuar në këtë organizatë duhet 2/3 e votave.

Kujtojmë që vitin e kaluar ku asambleja është mbajtur në Kinë, Kosova ishte tërhequr, kjo pasi nuk kishte vota të mjaftueshme.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)