Ndonëse janë të interesuar që sa më parë të shpërbëjnë Kuvendin e Kosovës, LDK dhe Vetëvendosje ende nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë.
Megjithatë, opozita paralajmëron se do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se sot do të paraqesin një kërkesë të tillë për të miratuar rezolutën e 4 shtatorit- e cila ia pamundëson presidentit Hashim Thaçi që të diskutojë për kufijtë në dialogun me Serbinë.
“Ne duhet të mblidhemi sa më parë dhe të reflektojmë gjithë këtë dhe ta shpërndajmë Kuvendin. Jemi të shqetësuar me inicimin e vazhdueshëm të presidentit Thaçi kundër kushtetues, pavarësisht se nuk e ka asnjë deputet të vetëm që e mbështetë idenë e tij. Ai ende vazhdon me atë qëndrim. Si rezultat, ne sot do të dorëzojmë kërkesën e re për seancë të jashtëzakonshme për të miratuar rezolutën e 4 shtatorit në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Ai foli edhe për takimin e shumëpërfolur që pritet të mbahet më 11 nëntor në Paris në mes të Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Ne nuk mund të lejojmë që një person i vetëm të marrë në dorë fatet e Kosovës dhe të vendosë ashtu siç i teket atij. Janë 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Askush, asnjë nuk e gjen të gatshëm që të mbështesë idenë e tij. Ai don ta çojë këtë përpara. Ne duhet të mblidhemi dhe t’i themi këtij personi stop përmes një rezolute të thjesht, me një pikë, ku thuhet se çështja e dialogut nuk mund të jetë çështje e dialogut me Serbinë”, theksoi Hoti.
Për këtë ka folur edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
“Sot ishim këtu për të dhënë votën tonë për projektligjin që e kemi proceduar ne si Vetëvendosje, që ka të bëjë me projektligjin për gjykimin në mungesë. I njëjti kaloi në parim për faktin se është e pa pranueshmeqë 20 vjet pas luftës, për faktin se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës ne nuk kemi sjell drejtësi për viktimat”, u shpreh ajo.
Për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Haxhiu tha se duhet të sigurojnë votat.
“Në këtë drejtim ne konsiderojmë se duhet të kemi qasje serioze dhe të kemi 61 votat. Votat e Vetëvendosjes, 19 prej tyre janë të gjitha, ato i kemi të gatshme. Vetëm duhet të sigurohemi që i kemi edhe 4 apo 5 sa na duhen”, tha ajo.
Seanca e ndërprerë javën e kaluar, po vazhdon pa praninë e partive opozitare.
COMMENTS