Zhduken surinamezët, askush nuk jep përgjigje rreth Kosovës

Zhduken surinamezët, askush nuk jep përgjigje rreth Kosovës

LDK pritet të ketë 15 asambleistë në Lipjan

Në ditën kur Serbia e shpalli se shteti i Surinamit ka revokuar vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ministrja e Jashtme e këtij vendi latino-amerikan, Yldiz Pollack-Beighle, ndodhej në Rusi, për takimin me homologun rus Sergey Lavrov. Nuk dihet se cili është roli i saktë i Rusisë në aferën surinameze për tërheqjen e njohjes, pasi Ivica Daçiq ia dedikoi këtë sukses diasporës serbe. Në Kosovë po kontestohet ajo çfarë thuhet në Beograd, duke theksuar se asnjë dokument nuk ka ardhur në adresë të institucioneve që flet për revokimin e njohjes. Gazeta Express ka kontaktuar disa institucione të Surinamit duke u dërguar edhe pyetje nëpërmjet e-mailit, por zyrtarët pasi kanë dëgjuar se për çfarë bëhet fjalë janë zhdukur.

Askush në Surinam, pos autoriteteve që po fshehin diçka, nuk ia ka idenë se çfarë po ndodh në marrëdhëniet e këtij vendi me Kosovën. Që prej publikimit të lajmit në Beograd nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili prezantoi edhe një dokument ku flitet për revokimin e njohjes së pavarësisë së “Kosovës dhe Metohisë” askush nuk është bërë i gjallë në kontinentin amerikan për të folur rreth kësaj teme. “Starnieuws”, një media online që kishte njoftuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës në korrik të vitit të kaluar, ka publikuar një lajm të ri, duke iu referuar mediave nga Ballkani se Surinami ka tërhequr njohjen për Kosovën. Aty i jepet hapësirë Ministrisë së Jashtme të Kosovës e cila në reagimin e saj theksoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Pra vetëm kaq ka pasur jehonë lajmi që u publikua me pompozitet nga kryediplomati serb Ivica Daçiq, i cili “çnjohjen” e lajmëroi në ditën kur ministrja e Jashtme e Surinamit, Yldiz Pollack-Beighle, qëndroi në Moskë për vizitë dhe takim me homologun e saj Sergey Lavrov. Nuk dihet se cili është roli i diplomacisë ruse në këtë çështje, kur dihet se Rusia po vazhdon ta luftojë pavarësinë e Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë nga Katolonja. Putin ditëve të fundit tha se pavarësia e Kosovës ka nxitur gjithçka duke iu referuar zhvillimeve në Gadishullin Pirinej. Lajmi për tërheqjen e njohjes vjen pak ditë pasi diplomati amerikan Hoyt Yee ua tërhoqi vërejtjen publikisht autoriteteve në Beograd rreth bashkëpunimit me Rusinë. Në disa shkrime autoriale që mund të gjenden në internet thuhet se Surinami ka intensifikuar raportet me Rusinë, ndërkohë që ky vend ka traditë edhe tërheqjen e njohjeve.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Ministria e Jashtme e Kosovës pos reagimeve të para ku thuhet se asnjë dokument nuk ka ardhur nga Surinami, se revokimi i njohjes nuk ekziston sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk ka dhënë më shumë shpjegime. Ndërkohë që nga pala kosovare është vërejtur mjaft disponim për ta diskutuar akademikisht këtë temë. Kosova ka ambasadë në Washington dhe Konsullatë në New York, por askush nuk ka treguar se është kontaktuar Misioni Diplomatik i Surinamit në OKB ose Ambasada e këtij shteti në Washington për të kërkuar sqarime.

Gazeta Express gjatë dy ditëve të fundit i ka dërguar pyetje Misionit të Përhershëm të Surinamit në OKB dhe Qeverisë së Surinamit (që sipas Daçiq e ka marrë vendimin më 27 tetor për çnjohjen e Kosovës), për të pyetur nëse vërtet ka ndodhur kjo dhe nëse dokumenti për revokimin e pavarësisë që e ka publikuar diplomacia serbe në media, është autentik. Sido që të jetë, as Misioni i Surinamit në OKB, që vitin e kaluar ia kishte dorëzuar vendimin për njohje ambasadores Vlora Çitaku, nuk u është përgjigjur pyetjeve me shkrim e as Qeveria e këtij vendi. Gazeta Express më pas ka kontaktuar Misionin e Surinamit në New York. Një zyrtar që është paraqitur ka thënë se nuk mund të thotë asgjë pasi “personi që mund të flasë rreth kësaj çështjeje nuk ndodhet aty”. Kjo zyrtare që ka folur në gjuhën angleze më pas ka sugjeruar që Gazeta Express t’u drejtohet autoriteteve në Surinam. Gazeta Express këtë edhe e ka bërë duke telefonuar në Zyrën e Presidentit të atjeshëm, të cilët nuk kanë pasur përgjigje. Po ashtu, edhe një telefonatë në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi, ka mbetur pa përgjigje. Zyrtarja e MPJ-së së Surinamit ka thënë se askush nuk mund të flasë “pasi ministrja e Jashtme ndodhet për vizitë jashtë vendit”. Madje, kanë refuzuar edhe kërkesën për të dërguar sërish pyetje për të sqaruar nëse vërtet ka ndodhur vendimi për anulimin e njohjes dhe cilat kanë qenë motivet që kanë shtyrë këtë ish-koloni holandeze, me rreth 500 mijë banorë që ndodhet në verilindje të Amerikës Jugore, të vendosë për diçka të tillë./GazetaExpress/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)