Një ekip ndërkombëtar vlerësues – monitorues i kontraktuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë i ka propozuar Qeverisë së Kosovës se kandidati me më së shumti pikë dhe me një diferencë të thellë në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit-MASHT është Naim Gashi.
Ky vlerësim ka dallime të thella me Komisionin vendor për Vlerësimin e Kritereve të cilët kanë propozuar Afrim Lokun me më së shumti pikë për drejtor të Agjencisë.
Burime të afërta me Qeverinë i kanë thënë gazetës Blic se ekspertët britanikë kanë vlerësime diametralisht të kundërta me Komisionin vendor vlerësues.“Ekspertët britanikë kanë vlerësuar se në bazë të të gjitha kritereve vlerësuese të konkursit, përvojës në menaxhim, përgatitjes akademike, testit psikometrik dhe intervistimit, Gashi është bindshëm i pari me më së shumti pikë, madje me një diferencë të thellë në krahasim me kandidatët e tjerë që vështirë mund të përmbyset”, ka thënë burimi i afërt me Qeverinë.
Burime të gazetës kanë thënë se ekspertët britanikë kanë provuar që të përafrojnë qëndrimet me Komisionin vendor për Vlerësimin e Kritereve, por ka qenë e pamundshme, sepse britanikët e kanë vlerësuar Gashin me pikë maksimale, për dallim nga Komisioni vendor që kishte vlerësuar Lokun me pikë maksimale.Burime të gazetës Blic thonë se Loku ka përkrahje të fuqishme nga ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe sekretari i kësaj ministrie, Ekrem Kastrati, me të cilin Loku ka përafri të madhe dhe kanë punuar së bashku në QKUK.
Gazeta ka mësuar se Ministri Bytyqi dhe sekretari Kastrati së bashku me zëvendësministrin e Administratës Publike, Sami Hajdaraj, kishin përgatitur komplet procesin që Loku të zgjidhet në krye të Agjencisë së Akreditimit, por skenari është prishur komplet nga ekspertët britanikë të angazhuar në këtë proces, të cilët kanë poentuar Gashin si kandidati më kompetent dhe më profesional për këtë pozitë.
Gazeta Blic ka mësuar se ekspertët britanikë, si partner implementues, ju kanë shkruar të premten nga një letër kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarit Veseli nëpërmes të cilës ju kanë shpjeguar komplet procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit dhe vlerësimin e kandidatëve individualisht.
Sekretaria e Komisionit vendor Vlerësues të Kritereve e ka shpallur të enjten listën me tre kandidatë fitues, Afrim Lokun, Rifat Morinën dhe Naim Gashin. Pasi që të përfundoj afati i ankesave prej 8 ditësh qeveria do të zgjedhë njërin nga kandidatët e propozuar. Mbetet të shihet nëse do të emërohet Gashi i propozuari i britanikëve, apo Loku i preferuari i Ministrisë së Arsimit.
Afrim Loku ka të kaluar politike, si kryetar i degës së AKR në Kaçanik, mandej ka kaluar edhe në parti tjera. Aktualisht është mësimdhënës në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Naim Gashi aktualisht është anëtar i Bordit të RTK dhe kryeson Komisionin e Auditimit në transmetuesin publik. Gashi ka përvojë në media, në arsimin e lartë publik dhe privat dhe është i njohur si ekspert i çështjeve ekonomike.
Në anën tjetër zyrtari për politika dhe qeverisje të mirë në Ambasadën Britanike Agim Maraj, ka konfirmuar për “Gazeta Blic” përpilimin e raportit final për procesin rekrutues për Drejtor të Agjencisë për Akreditim dhe dorëzimin e tij në institucionet e shtetit.
“Partneri zbatues ka përgatitur raportin final për procesin rekrutues për Drejtor të Agjencisë për Akreditim dhe ky raport i është dërguar, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit si dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Raporti rekomandon kandidatët më të suksesshëm të cilët kanë dal nga ky proces të renditur sipas pikëve. Vlen të theksohet se renditja e kandidatëve më te suksesshëm nga raporti i partnerit implementues dallon nga renditja e panelit te Kosovës. Shpresojmë që institucionet e Kosovës do ti marrin parasysh rekomandimet e partnerit zbatues”, ka thënë Maraj përmes postës elektronike.
COMMENTS