Kurrë në historinë e demokracisë amerikane, ato që njihen si zgjedhjet “midterm” (të mesit të mandatit), nuk kanë qenë më të rëndësishme. Rezultatin e tyre po e presin me ankth diktatorët dhe demokratët në mbarë botën.
Deklarata e Donald Trumpit, se do të kandidonte për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte marrë seriozisht aq sa mund të merret seriozisht ambicia e Ismet Hebibit në Kosovë – vetëm sikur Hebibi të ishte pak më i pasur.
E gjitha ishte konsideruar një shaka. Në variantin më të mirë, futja e Trumpit në garë u konsiderua si një përberës që i shtohet gjellës sa për t’i dhënë një aromë më tepër. E meqë paragara për president në Amerikë zgjat shumë, atëherë pse të mos kishte vend aty edhe për një palaço.
Kështu, prezenca e Trumpit në studiot televizive e rriti spektaklin, por jo edhe seriozitetin. Një biznesmen llafazan, jokonvencional, me një jetë private plot ngjyra dhe plot kaos, përfaqësonte saktësisht të kundërten e të gjithë kandidatëve të tjerë, posaçërisht në mesin e republikanëve.
Sa më shumë kalonin javët dhe muajt, aq më pak po qeshej më të. Politikisht jokorrekt, duke iu shpallur luftë të gjithëve, Trump arriti që ta ndante opinionin amerikan në dysh: a do ta votojmë dikë që nuk është sikur të tjerët, apo do të vazhdojmë t’i votojmë këta që janë të njëjtë. Amerikanët ishin shumë të lodhur dhe të mërzitur me familjet e mëdha politike, siç janë Bushët apo Clintonët, që po e udhëheqnin shtetin që prej vitit 1988.
Duke e parë që po rritej në sondazhe, atëherë karvanit të z. Trump vendosën t’i bashkoheshin ekstremistët dhe ideologët e krahut të djathtë, si Steve Bannon, duke shpresuar që me kalimin e kohës do ta kanalizonin atë, duke ia veshur atij pikëpamjet e tyre radikale, si nxitja e urrejtjes ndaj emigrantëve, ndaj hebrenjve, mbyllja e syve përballë fuqizimit të grupeve neonaziste, e kështu me radhë. Kështu, nga një politikan qesharak, i parafinuar, që nuk besonte në ndonjë ideologji, po krijohej një frankenshtajn i rrezikshëm, që po lëshonte muzikë të mirë për veshët e amerikanëve të irrituar nga nepotizmi, oligarkia dhe lobistët.
Votuesit kishte kohë që ishin në kërkim të dikujt që do të hakmerrej në emër të tyre, për çdo të keqe që ata mendonin që u kishte ardhur prej politikanëve të tjerë. Trump po e ofronte këtë gjë. Ai premtonte që do ta arrestonte Hillary Clintonin, që në sytë e amerikanëve ishte emblema e nepotizmit, se do ta arrestonte George Sorrosin, mish i kuq për neonazistët antisemitë, se do t’i mbronte interesat e amerikanëve (lexo: atyre të bardhë) përballë emigrantëve. Përpjekjet e kundërshtarëve të tij, për ta sulmuar atë me deklaratat e tij skandaloze për gratë, vetëm sa e forconin edhe më shumë. Pak kujt i bënin përshtypje edhe shkrimet e shumta që dëshmonin se Trump gjatë jetës së tij si biznesmen nuk i kishte paguar as taksat. Për sa kohë që ai premtonte që do t’i shpallte luftë establishmentit, të gjitha të tjerat ishin irrelevante.
Kështu, në javën e parë të nëntorit të vitit 2016 ndodhi ajo që kurrë askujt nuk do t’ia kishte marrë mendja: Shtëpia e Bardhë u banua nga Donald Trump, i udhëhequr nga motoja e tij: Amerika e Para.
Shpresa se do të ndryshonte kur do të veshej me pushtet shumë shpejt vdiq. Trump si president u tregua po aq skandaloz sa Trump si biznesmen.
Për dy vjet, me politikën e tij të jashtme, por edhe atë të brendshme, ai e ka rrënuar, pothuajse, çdo gjë që është ndërtuar në Perëndim që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Ai më shumë pasion i ka shpallur luftë mediave dhe gazetarëve, duke i etiketuar si armiq të popullit. Për të, demokracia liberale nuk thotë asgjë, kurse interesat tregtare të SHBA’së e eklipsojnë çfarëdo raporti për shkelje të të drejtave të njeriut kudo në botë. Trump e konsideron lider të madh diktatorin e egër, Kim Jong Un, kurse Angela Merkelin lidere të papërgjegjshme, sepse i kishte pranuar në Gjermani një milion refugjatë. Gjatë këtyre dy vjetëve, Trump në baza ditore ka lëshuar gënjeshtër pas gënjeshtre. Tash së fundmi ai u tregua shumë i sinqertë, kur deklaroi që “e flet të vërtetën sa herë që ka mundësi”. Nëse nuk ka mundësi, atëherë ai flet të pavërteta.
Në ndërkohë, përveç Kim Jong Unit, Trump është rreshtuar në krah të autokratëve evropianë, si Viktor Orban, Matteo Salvini, Nigel Farage, që deri para ardhjes së tij konsideroheshin si dele e zezë. Të qenit antisemit, antiemigrant, me Trumpin në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk konsiderohet më si diçka jonormale. Tash së fundmi u arrestua në SHBA një militant, përkrahës i tij, që kishte dërguar bomba në adresat e shumicës së kundërshtarëve të Donald Trumpit, si Barack Obama dhe Hillary Clinton, ose mediave, si CNN. Klima që ai e ka krijuar mendohet që e ka rritur vetëbesimin e mendjeve radikale për të sulmuar dhe vrarë hebrenjtë në tempujt e tyre, siç ndodhi tash së fundmi në Pitsburg. Asgjë më nuk është e pamundshme, e as jonormale.
Ndërsa, për të fituar ndonjë poenë elektorale, Trump ka shkuar aq larg sa një karvan leckamanësh, të përbërë nga pleq, plaka dhe fëmijë, që janë nisur nga Hondurasi për të kërkuar strehim në SHBA, t’i quajë si zaptues potencialë. Ata edhe më tutje janë rreth 1000 kilometra larg kufirit me SHBA’në, drejt të cilit po shkojnë në këmbë, por kjo nuk e ka penguar Trumpin që t’i kërcënojë se nëse “do ta hedhin qoftë edhe një guri drejt forcave amerikane që po e sigurojnë kufirin, atëherë ata do t’i qëllojnë me plumba”. Në mënyrë krejtësisht skandaloze, për ta mbrojtur kufirin nga 5000 këmbësorë, të paarmatosur, të uritur, Trump i ka nisur 5200 ushtarë. Pak më shumë se një ushtar për një refugjat.
Përveç kësaj, Presidenti i SHBA’së, ndonëse nuk ka shumë kohë që është në pushtet, i ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm përpjekjeve globale për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike. Atij edhe më tutje nuk i ka bërë përshtypje alarmi i shkencëtarëve se planeti po shkon drejt katastrofës, nëse tash nuk bëhen bashkë të gjitha shtetet. Njëri prej hapave të tij të parë si president ishte tërheqja nga marrëveshja e Parisit, të cilën gjë e kishte orkestruar paraardhësi i tij, Barack Obama. Nuk është kjo goditja e vetme e Trumpit ndaj arritjeve të Obamas. Çdo gjë që ky i fundit ka bërë në mandatin e tij si president, Trump është angazhuar me pasion për ta prishur. Përveç që e ka sabotuar luftën kundër ngrohjes globale, Trump është tërhequr edhe nga një marrëveshje që SHBA’ja dhe Bashkimi Evropian kishin arritur me Iranin. Gjithashtu, në kundërshtim të plotë me Bashkimin Evropian dhe politikat e deridjeshme të SHBA
së, Trump e ka zhvendosur nga Tel Avivi në Jerusalem ambasadën e SHBA’së.
Me fjalë të tjera, me Trumpin si president i SHBA’së, bota është bërë më e keqe, forcat demokratike kanë humbur terren, kurse autokratët janë fuqizuar. Për të, këto dy vjet, çdo gjë ka qenë tregti, çdo gjë ka qenë në shitje dhe çdo gjë në blerje. Për të arritur qëllime të pastra ekonomike, në çdo cep të botës, Trump ka bërë kompromis me të drejtat e njeriut. Ai nuk ka folur asnjëherë me Kinën për demokracinë e munguar, por për tarifat e pafavorshme tregtare, nuk ka folur as me Arabinë Saudite për të drejtat e njeriut, por për blerje-shitje në vlerë 100 miliardë dollarësh. Ai çdo shtet e ka konsideruar si blerës ose si shitës. Një qasje e tillë, e sigurisht edhe ajo çfarë kishte bërë Obama në mandatin e tij si president, e ka mbajtur të shëndoshë ekonominë amerikane. Papunësia në SHBA është ndoshta në nivelet më të ulta në 100 vitet e fundit, siç është edhe demokracia. Kurse nesër amerikanët do t’ju drejtohen kutive të votimit, në ato që në SHBA quhen si zgjedhjet midterm, për të dhënë fjalën e tyre se cilën rrugë do të ndjekin, këtë të Trumpit, të joshur vetëm nga tregtia dhe ekonomia, apo atë të Amerikës së idealeve të larta, të Amerikës liberale dhe demokratike?
Nesër në Amerikë votohet për Dhomën e Përfaqësuesëve dhe 1/3 e Senatit. Këto zgjedhje mbahen çdo katër vjet, dhe konsiderohen si një lloj referendumi i qytetarëve për punën e Presidentit. Kurrë më parë nuk ka pasur një këso interesimi për këto zgjedhje. Demokratëve, për të fituar sa më shumë ulëse në të dyja dhomat e Kongresit, u ka dalë në ndihmë ish-presidenti Barack Obama, i cili po merr pjesë në tubimet zgjedhore anëkënd shtetit. Një fitore eventuale e demokratëve do t’i hapte rrugë punës së prokurorit Robert Mueller, i cili është në përfundim e sipër të raportit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA. Mueller është duke pritur që ta intervistojë edhe presidentin Trump, si dëshmitar ose si të dyshuar. Deri më tash, në rrjetën e tij kanë rënë disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Trumpit, si Cohen, Manafort dhe të tjerë. Mirëpo me këtë përberje të forcave në të dyja dhomat e Kongresit, e edhe në Gjykatën Supreme, do të ishte e paimagjinueshme që të ndodhte një progres i duhur në këto hetime. Por, një fitore e demokratëve nesër do t’i jepte shpresë, jo vetëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por të gjithë botës. Amerika do të dëshmonte se ajo çfarë ka ngjarë në vitin 2016 ka qënë një aksident. Dhe se presidenti Trump është gjithashtu vetëm një aksident.
COMMENTS