Rreth 100 varka druri, me pamje të rrënuar, janë shfaqur në brigjet e Japonisë gjatë këtij viti. Ndonjëherë janë bosh, ndonjëherë kanë kufoma ose skelete, ndaj dhe janë quajtur “varka fantazmë”.
Shumë mendojnë se këto varka e kanë origjinën nga Koreja e Veriut. Ato kanë vite që vijnë rregullisht. Në vitin 2017 u gjetën 44 të tilla. Në vitin 2016, 66. Këtë vit kanë qenë në nivel rekord: 89 varka, 12 prej të cilave kishin trupa të vdekur brenda. Të gjitha përplasen në brigjet japoneze që ndodhen përballë gadishullit korean.
Analistët mendojnë se disa nga varkat mund të jenë përdorur nga refugjatë, të cilët mund të kenë dashur të largohen nga Koreja e Veriut, për shkak të kushteve të këqija. Një tjetër teori është se vijnë nga peshkatarët e vendit të izoluar, të cilët përpiqen fort të plotësojnë kuotat e peshkimit.
Mendohet se peshkatarët atje kanë shumë presion nga regjimi i Kim Jong Un-it, i cili kërkon të maksimalizohet burimi i proteinave ushqimore.
COMMENTS