Kosova e ka turpëruar Maltën 5-0 në triumfin e saj më të madh dhe të parë në udhëtim të shtunën, duke e bërë edhe një hap tjetër të rëndësishëm drejt promovimit në Ligën C dhe kalimit në gjysmëfinale të Ligës D në garën e re të UEFA, Ligën e Kombeve.
Kosova e vazhdon ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 përmes një rruge më të lehtë, Ligës së Kombeve.
Kosova, që po vinte nga dy barazime në udhëtim dhe dy fitore në shtëpi në katër ndeshjet e parë në Grupin 3 të Ligës D, e regjistroi fitoren e parë në udhëtim në mënyrë fantastike duke e mundur Maltën 5-0 në “Ta ‘Qali”.
Ekipi i Bernard Challandes ruan pozitën e parë në Grupin 3 me 11 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani në pozitën e dytë, të cilën do ta presë të martën në “Fadil Vokrri” për ta përcaktuar fitues e këtij grupi.
Kosovës do t’i konvenonte edhe një barazim ndaj Azerbajxhanit për ta fituar Grupin 3, gjë që do t’ia mundësonte kalimin në gjysmëfinale të Ligës D dhe promovimin në Ligën C njëkohësisht.
Kosova do ta fitonte një vend në Evropian sikur ta fitojë një ndeshje gjysmëfinale dhe një finale ndaj kundërshtarëve të Ligës D.
Të kthehemi të paraqitje mbresëlënës e Kosovës sot. Skuadra e Challandes erdhi afër golit pas vetëm tre minutave lojë, por super harkimi i Milot Rashicës nuk u shfrytëzua nga Vedat Muriqi, i cili nuk arriti të shënojë nga afërsia.
Por, dyshja Rashica-Muqiri ishin protagonistë edhe një herë pas një çereku lojë, këtë herë duke e hapur llogarinë për Kosovën.
Rashica e vodhi një top në afërsi të zonës falë të cilit Muriqi shënoi ballë për ballë me portierin.
Kosova ka mundur ta mbyllte pjesën e parë me tri gola epërsie sikur Valon Berisha të shënonte në dy mundësitë që i pati nga afërsie.
Me kaq u mbyll një super pajës e parë nga Kosova.
Malta u këndell paska në pjesën e dytë dhe ritmi i Kosovës ra. Megjithatë, në kohën kur vendasit filluan ta sulmonin portën e Samir Ujkanit, Benjamin Kololli u përkujdes që t’ia presë këmbët atyre duke shënuar një super parabol 20 minuta para fundit.
Donis Avdijaj shpërtheu duke e shënuar golin debutues në fanellën e Kosovës dhe më pas edhe të dytë brenda dy minutave, dhjetë minuta para fundit, pasi u fut në fushë në vend të Arbër Zenelit në minutën e 71-të.
Asllan Demhasaj debutoi për Kosovën, pasi u thirr për herë të parë nga Challandes, duke e zëvendësuar Vedat Muriqin, i cili pati një ndeshje fantastike me një gol dhe një asist.
Për ta vulosur fitoren më të thellë ndonjëherë të Kosovës u përkujdes bomberi Milot Rashica, i cili realizoi nga distanca katër minuta para fundit.
Kosova është lidere e Grupit 3 me 11 pikë, ndërsa Azerbajxhani, që sot i mundi Ishujt Faroe 2-0, është i dyti me 9 pikë.
Të martën Kosova e pret në “Fadil Vokrri” Azerbajxhanin në ndeshjen e fundit të grupit ku edhe do të përcaktohet lideri.
Kosovës i bën punë edhe barazimi, ndërsa Azerbajxhanit vetëm fitorja. /Express/
COMMENTS