Vala e protestave në Francë, në lidhje me rritjen e çmimit të karburantit dhe standardeve të ulëta të jetesës, ka krijuar probleme edhe në vende të tjera, duke shkaktuar pengesa për kamionistët në Britani dhe Spanjë, e duke çuar në arrestime në Belgjikë.
Dhjetëra persona u arrestuan në Belgjikë, afër kufirit me Francën, ndërsa Spanja përjetoi bllokime trafiku në kufirin me fqinjin e saj verior.
Qindra e mijëra persona me jelekët e verdhë të shndritshëm bllokuan rrugët dhe infrastrukturën energjetike në të gjithë Francën, ditët e shkuara, për të protestuar kundër çmimeve të larta të karburantit dhe standardeve të ulëta të jetesës.
Bllokimet e trafikut dhe mbyllja e përkohshme e kufijve shkaktoi radhë të gjata deri në 11 kilometra në autostradën kryesore të vendit, përmes maleve Pirenej, mes Francës dhe Spanjës.
Në një deklaratë të qeverisë spanjolle thuhej se, lëvizja po pengonte qarkullimin e lirë të mallrave mes vendeve anëtare të BE-së dhe kostoja e përllogaritur e këtyre bllokadave është rreth 2 milionë euro.
Qeveria spanjolle ka dërguar një notë proteste tek autoritetet franceze dhe ka njoftuar edhe Komisionin Europian. Edhe pse numri i protestuesve në Francë ka rënë që nga fundjava, incidentet kanë vijuar edhe të enjten, në prag të një dite kombëtare aksioni të planifikuar për të shtunën.
Të enjten, rreth 30 protestues ngadalësuan trafikun në afërsi të tunelit në La Mansh, në Francën veriore, që përdoret nga mijëra kamionë që hyjnë çdo ditë nga Britania e Madhe./th
COMMENTS