Një grup i serbëve të veriut të Kosovës kanë bllokuar magjistralen që çon drejt pikës kufitare në Jarinjë në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me vendosjen e taksës prej 100 % ndaj produkteve serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Duke iu drejtuar masës së të tubuarve, kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, e vlerësoi të rëndë situatën në veri.
“Situata është shumë e rëndë”, tha ai para protestuesve.
“Nga Presidenti (i Serbisë Aleksandar Vuçiq) presim mbështetje sepse shtet tjetër nuk kemi. Presim mbështetje në çdo kuptim të fjalës”, tha ai duke iu referuar takimit të djeshëm në Beograd me Vuçiqin.
Policia e Kosovës në një konferencë të mbajtur sot ka thënë se është e gatshme që të ruaj rendin dhe qetësinë publike pas protestave të paralajmëruara nga qytetarët serbë të veriut, pas taksës së vënë nga Kosova për 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani në konferencë të jashtëzakonshme tha se janë në dijeni të paralajmërimeve për protesta.
“Policia i disponon informacionet rreth lajmërimit të protestës, e cila mund të jetë në orën 12:00. Ne si polici çdo herë konform informacioneve bëjmë edhe planifikimet tona operacionale për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. E njohim të drejtën secilit qytetar për të protestuar. Do të jemi të kujdesshëm të veprojmë sipas situatës”, tha Kelani.
COMMENTS