28 Nëntori bashkon shqiptarët në Prekaz

28 Nëntori bashkon shqiptarët në Prekaz

Gjykata e Apelit deklarohet për vendimin ndaj Enver Sekiraqës

Shumë qytetarë, të vendit dhe nga jashtë Kosovës, kanë vizituar Prekazin, qe njihet si fshati historik.

Duke u përkulur para varrezave të familjes Jashari, vizitorët thanë se e ndjejnë obligim që të jenë sot aty. Për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jasharit, shqiptarë nga Kosova dhe prej diasporës kanë vizituar kompleksin memorial në Prekaz.

Numër i madh i qytetarëve u pa të jenë na Shqipëria e Maqedonia, të cilët bashkë me familjet e tyre, vizituan çdo pjesë memoriale të Jasharajve.

Sipas tyre, fëmijët duhet të dinë për luftën e lavdishme të UCK-së në krye me komandantin Adem Jashari, dhe për sakrificën e rezistencën që bëri kjo familje. Ani pse sot në Prekaz po shënohen temperatura mjaft të ulëta, moti i ftohtë nuk i pengoi ata që 28 Nëntorin ta festojnë në vendin që konsiderohet i lavdishëm. Shaban Bahtiri nga Mitrovica, kishte marrë fëmijët për t’i njohur nga afër me kompleksin memorial në Prekaz, dhe historinë e familjës Jashari.

“Kam ardhur t’u tregoj historinë e legjendarit Adem Jashari, komandantit, vij cdo vit, e bëjë me kënaqësi, e ndjej si obligim kombëtar, është vend i shenjtë për cdo shqiptar” tha ai. Ndërsa Sefedin Istogu, vizitor, ditën e sotme e quajti madhështore.

“Është një ditë shumë madhështore, është dita e Flamurit, dhe kemi dalur të vizitojmë Prekazin legjendar, Adem Jasharin i cili ka kontribuar me të gjithë familjen e vet, ka ra heroikisht për trojet shqiptare”, tha ai.

Për të vizituar Prekazin kishte edhe nga Dukagjini.

Vizitori Naim Haxhosaj e quajti Prekazin, Meka e Shqiptarëve.

“Kam ardh prej Deçanit në këtë ditë të shenjtë të nëntorit, kam kam ardh me vizitu këtë vend të shenjtë. Kjo është Qabja ose Meka e shqiptarëve, është mëkat që së paku dy herë në vit mos me ardh në këtë vend”, tha ai. Prekazi i Drenicës mbetët vendi më i kërkuar nga vizitorët, në çdo kohë. Vetëm brenda një viti, kompleksin memorial e vizitojnë rreth 800 mijë njerëz.

Xhevat Imeri ciceron në muzeun Qëndresë në Prekaz, tregon se edhe sivjet, Prekazi është i mbushur me vizitorë.

“Më kanë rënë në sy vizitorë të shumtë nga shteti amë, Shqipëria duke pas parasysh se është edhe festivali që mbahet për 28 nëntor në Skenderaj, ajo që më ka rënë në sy ka qenë edhe nga pjesa Iliride e Maqedonisë, ka shumë qytetarë që sot kanë marrë rrugë për Prekaz”, tha Imeri.

Ai thotë se çdo vit e më shumë numri i vizitorëve në Prekaz rritet.

“Është viti i 19 që punoj këtu, njerëzit e kanë paramenduar se me kalimin e viteve numri i vizitorëve do të bie, por është e kundërta, numri i vizitorëve ka shkuar duke u rritur, sepse njerëzit nuk e njohin vetëm thjeshtë vizitë por vizitë obligative për të ardh për të nderuar këtë vend, sepse kjo familje sakrifikoi më të dashurit për të vetmin qëllim lirinë e Kosovës…..ky vit ka qenë viti që ka pas numër më të madh të vizitorëve, llogaritet se 800 mijë njerëz e kanë vizituar Prekazin brenda një viti”, tha ai. Përveç festës së Flamurit, Kosova sot përkujton edhe daljen e parë publike të UCK-së, që u bë me 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt.

Gjatë paradites, homazhe në Prekaz kanë bërë drejtues të institucioneve të Kosovës, liderë të partive politike, organizata të ndryshme e qytetarë të shumtë.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)