Burime të Persikopit kanë bërë të ditur se kryetari i Prishtinës, njëherësh lideri i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, do të jetë bashkëkryesues i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Ai këtë ekip do ta kryesojë së bashku me kryetarin e Nismës, dhe zëvendëkryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajn.
Pak më parë Periskopi ka raportuar se Ligji mbi negociatat si dhe Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë do të votohen në seancën e nesërme në Kuvend.
Partitë politike muaj më parë kanë nisur bisedimet për çështjen e krijimit të ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Votimi i nesërm nuk është paraparë në agjendën të cilën e ka prezantuar kryesia sot por sipas burimeve bëhet e ditur që marrëveshja mes partrive është arritur sonte në orët e vona.
Ndryshe ky vendim vjen në ditën e njëjtë kur krerët e shtetit patën takime me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Qeveria e Kosovës, në shtator të këtij viti, në krye të këtij ekipi kishte emëruar kryetarin e Nismës dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajn. Ekipi do të ketë përfaqësues të koalicionit qeveritar si dhe ka vendet e rezervuara për ekspertë nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të opozitës.
COMMENTS