Vetëm pak ditë pas deklaratës se priftit Georg, rreth takimit që ka patur me Michael Schumacher në vitin 2016, heshtjen e “varrit” e thyen edhe Jean Todt, ish-drejtuesi i njohur i Ferrarit. 72-vjeçari i ka befasuar të gjithë teksa ka zbuluar se e ka ndjekur bashkë me legjendën gjermane të Formula 1 Çmimin e Madh të Brazilit, që u zhvillua 11 nëntorin e kaluar.
“Jam gjithmonë shumë i kujdesshëm kur them diçka, por është e vërtetë që Çmimin e Madh të Brazilit e kam ndjekur bashkë me Michael në Zvicër.”
Jean Todt, në respekt të privatësisë së kërkuar nga familjarët e ish-pilotit të famshëm të Formula 1 nuk dha asnjë informacion më të detajuar për gjendjen e tij.
Todt ka qenë në krye të Ferrarit në vitet e arta të trofeve të Schumit. Ai e viziton shpeshherë 7 herë kampionin e botës në rezidencën e tij në Gland të Zvicrës, pas aksidentit të rëndë që pësoi në Meribel të Francës 5 vite më parë. Familjarët kanë qenë shumë të kujdesshëm për të mos lejuar rrjedhjen e informacionit, ndaj shumë pak është mësuar për gjendjen shëndetësore të Schumacher.
COMMENTS