Serbia kërkon nga Shqipëria të shqyrtojë njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Serbia kërkon nga Shqipëria të shqyrtojë njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Albini “zgjohet nga gjumi”, paralajmëron protesta në sheshe kundër Thaçit

Serbia i ka kërkuar Shqipërisë të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Pavarësisë së Kosovës, raporton Top Channel.

Vet kryeministrja serbe, Ana Brnabiq i ka dërguar dy letra homologut shqiptar, Edi Rama, ku i kërkon që të përdorë atë që ajo e quan “ndikimin e tij në Prishtinë”, në mënyrë që Kosova të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, ndër të cilat të heqë dorë nga ushtria dhe taksa 100%.

Letra e parë mban datën 16 nëntor dhe vjen e shkruar me një gjuhë, të cilën rëndom diplomacia serbe e përdor në kulmin e propagandës antishqiptare në seancat e Këshillit të Sigurimit dhe më gjerë, raporton Top Channel.

Kryeministrja serbe ankohet për atë që e quan shtypje dhe krime kundër popullit të saj, që vazhdojnë pa pushim dhe kërcënojnë të përshkallëzohen më tej.

“Po iua kërkoj meqenëse keni njohur të ashtuquajturën ‘Republikë të Kosovës’ si një shtet të pavarur, në mënyrë që ju të përdorni ndikimin tuaj ndaj Prishtinës, që t’iu bindet marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Në rast se, në kundërshti me ndikimin tuaj, ata vazhdojnë të shkelin marrëveshjet dhe paktet ndërkombëtare, ju kërkoj të rishikoni pozicionin tuaj në mbështetje të Pavarësisë”, shkruhet në letrën e parë të Brnabiç, 16 nëntor 2018.

Gjashtë ditë më vonë, pa marrë një përgjigje për letrën e parë, ku shqiptarët dhe Qeveria e Kosovës fajësohen për fakte të pavërteta, kryeministrja serbe i drejtohet serish Ramës me një letër të dytë.

Në këtë letër, Brnabiç, me tone më të zbutura dhe argumente ekonomike, flet për pasojat e taksës ndaj mallrave serbe dhe dëmin, që sipas saj po i bëhet klimës së biznesit në Ballkanin Perëndimor.

Ajo i ka kërkuar sërish Ramës të përdorë ndikimin dhe besimin që kanë instucionet e Kosovës tek ai, për heqjen e këtyre masave dhe i kujton faktin se Serbia nuk do të marrë masa reciproke.

Dy javë më vonë vjen përgjigja nga kryeministri Rama, në një letër ku ai i kujton homologes serbe krimet e shtetit të saj në Kosovë, njohjet dhe përparimet e Kosovës pas luftës.

“E dashur kolege. Është thjesht e pamundur për mua që të kuptoj thirrjen tuaj ‘që të rishikojmë pozicionin tonë në mbështetje të Pavarësisë’… Qëndrimi i Shqipërisë është se Kosova është shtet i pavarur dhe vend sovran, që i merr vet, në mënyrë të pavarur vendimet e saj, të cilat Serbia dhe të tjerët duhet t’i respektojnë, si reflektim i vullnetit sovran të popullit të Kosovës nëpërmjet udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, thuhet në përgjigjen e Ramës, më 3 dhjetor.

Rama i kujton Brnabiçit angazhimet e tij, së bashku me presidentin e saj Aleksandar Vuçiq, dhe se kanë rëndë dakord të arrijnë pajtimin përmes bashkëpunimit rajonal, gjë që ju – thotë kryeministri, – e keni shkelur me pengesat që po i nxirrni Kosovës për anëtaresimet në organizatat ndërkombëtare, si INTERPOL apo UNESCO.

“Shqipëria e ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Por, nuk mund të mos dëshmojmë se nën maskën e dialogut, Serbia ka ndërmarrë pengesa dhe akte armiqësore kundër Kosovës, të cilat janë të dëmshme për shpirtin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, gjë që nuk është e denjë për një shtet kandidat për në BE. Ne besojmë se ndjekja e rrugës së dialogut, me sinqeritet dhe realizëm, do të jetë e vetmja alternativë e sukssesshme për të arritur zgjidhje të detyrueshme dhe të qëndrueshme për të dyja palët, si dhe paqen e stabilitetin në rajon”, thuhet më tej në përgjigjen e Ramës.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)