Çka ndodhi me të miturën nga Fushë-Kosova? Doli të shëtisë për një orë, zhduket dhe i ndalet telefoni

Çka ndodhi me të miturën nga Fushë-Kosova? Doli të shëtisë për një orë, zhduket dhe i ndalet telefoni

Lideri i rrëzuar i Katalonjës ikën nga vendi

Tri femra janë raportuar të zhdukura nga familjarët e tyre dje në Policinë e Kosovës, njëra prej tyre e mitur. Kjo e fundit, vajzë e hasretit (gazeta e di identitetin e saj), me leje të babait kishte dalë për të shëtitur, por me të dalë telefoni i është ndalur dhe familja më nuk ka mundur të kontaktojë me të. Prindërit e kanë kërkuar te shoqet dhe familjarët e tjerë, megjithatë deri më tani askush nuk di për vendndodhjen e saj. Për ta gjetur 14-vjeçaren është angazhuar edhe policia

Shtresa e borës në rrugët e lagjes “Kolonia” në Fushë-Kosovë ishte prishur nga gjurmët e hapave, të cilat ishin bërë nga fëmijët e lagjes që hynin në çdo ndërtesë banesore për të shikuar mos në ndonjërën ndodhet apo mos dikush di diçka për A.K., 14-vjeçare. Dy nga katër vëllezërit e saj më të vegjël se ajo e kërkonin motrën e vetme në çdo cep të lagjes së mbipopulluar me banorë.

Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka biseduar me nënën e vajzës së zhdukur, e cila ka treguar më shumë rreth rastit.

Nëna e 14-vjeçares tha se vajza e saj nuk shkonte askund pa lejen e familjes. Atë e përshkroi vajzë që nuk ka shumë shoqe, të cilës një ditë më parë vetë babi i saj i kishte thënë të dilte në shëtitje për një orë. Ajo kishte dalë nga shtëpia dje në orën 16:00, me vete e kishte pasur edhe telefonin por i ishte ndalur.

“Vetë babai i saj i tha dil shëtitu nja ni orë, se s’del zakonisht nuk shkon kerkund, po i tha dil shëtitu hajde mas ni ore. Nuk shoqërohet, edhe te krejt shoqet e kena lyp edhe te familjarët nuk është kerkund. Telefonin e ka pas me veti “6s”, nuk po i bon telefoni e ka të fikur”, rrëfeu nëna e të miturës për Gazetën Express.

Ajo tregoi se babai i vajzës ka dalë për ta kërkuar në Prishtinë. Shtoi se nuk kanë lënë vend pa e kërkuar.

“Burri është tu e lyp, ka shku në Prishtinë. Tha mos po e gjejna në Prishtinë e që nuk gjindet tani normal duhet me shpall në media nashta dikush e gjenë. Policia e kanë informu, edhe në lajme e qiten, ta shohim mos po gjindet. Ajo dje në katër ka dalë, i ka veç 14 vjet”, vazhdon më tej rrëfimi.

“S’kena lanë vend pa e lyp, ajo nuk del kerkund pa na thirre. Nashta kisha dyshu u dalë me naj djalë, nes e kish insistu mem thanë mam po dalë, po vetë i tham dil pak”, tha nëna e të miturës.

Tregoi se vajza e saj kohëve të fundit e ka ndërprerë shkollimin për disa probleme, por nuk konkretizoi se çfarë problemesh ka pasur kohë më parë e mitura në shkollë.

“N’shkollë është çika po e ka ndërpre njëherë për njëherë”, tha ajo.

Pranë baneses së familjes
Pranë baneses së familjes

Nëna e vajzës tha se nuk kanë asnjë person ose vend ku dyshojnë se vajza mund të ndodhet vajza e tyre.

“Hiç me kerkond nuk ka pas kontakte, veç vetë u dalë prej shpisë, krejt shoqet ja kena thirr kerkund nuk është”, tha ajo

“Ishalla gjindet se katër djem i kam dhe vetëm qat çikë”, përfundoi nëna e saj, për të vazhduar t’i përgjigjej telefonatave që vazhdimisht e thërrisnin të afërmit për të ditur nëse e kanë gjetur atë.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga babai i saj por i njëjti tha se është shumë i zënë duke e kërkuar vajzën.

Rastin e saj e ka bërë të ditur sot policia përmes raportit 24 orësh.

“Fushë Kosovë 16.01.2019 – 16:00. Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se vajza e tij e mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk di asgjë për vendndodhjen e saj”, thuhej në njoftimin e policisë për rastin në fjalë.

Po në këtë raport u dha njoftimi edhe për dy raste të tjera të vajzave të zhdukura gjatë 24 orëve të fundit. Një vajzë është raportuar e zhdukur në Prizren e tjetra në Mitrovicë.

Për rastet e personave të zhdukur, Gazeta Express ka marrë statistika nga Policia e Kosovës, sipas të cilave vetëm gjatë periudhës janar-tetor 2018  janë raportuar 218 persona të zhdukur, apo 18 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Për këta persona të zhdukur policia tha se zakonisht brenda pak ditëve edhe rezultojnë me gjetjen e tyre.

“Kryesisht ka raste te cilat raportohen si persona të zhdukur/humbur, e qe me pastaj rezultojnë me gjetjen e tyre ku edhe mund te ndërrojë statusi i rastit”, tha policia.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)